Champions - asgje e vendosur

Ndoshta nuk ishte ndeshja me nivelin më të lartë teknik të mundshëm, por ishte sërish tepër argëtuese dhe shterruese për energjitë nervore dhe fizike. Zhoze Murinjo e pranon që Reali i tij nuk ishte aty ku duhet në Dortmund, ku humbi 1-2 në Gjermani për Ligën e Kampionëve.
“Në këtë ndeshje thjesht na mungoi një gol, pasi të dyja skuadrat ishin mjaft të barabarta, të dyja luftuan fort, por për fat të keq ne nuk i shfrytëzuam të gjitha mundësitë që patëm, ndërsa ata ia dolën. Nëse do ta kishim shënuar ne golin e dytë, do të kishim fituar ne. Grupi është i vështirë, ne dhe Dortmundi jemi në pozicion më të mirë, por duhet të bëjmë kujdes nga Mançester Siti”, u shpreh Murinjo.
Për Jurgen Klopin, ishte një përrallë e bukur që ia largon Dortmundit të tij hidhërimin nga paraqitja në Bundesligë.
“Nuk donim të bënim gabime, ndaj unë e rrita presionin ndaj skuadrës. Lojtarët luftuan fort, si të ishin dema. Ekipi im luajti një ndeshje të jashtëzakonshme futbolli. Reali i Madridit vazhdon të jetë favorit në këtë grup shumë të vështirë. Ende nuk është vendosur asgjë, ndaj fitorja që arritëm ndaj Realit është shumë e rëndësishme”, tha Klop.
Grupi i hekurt po e tregon veten si të tillë, madje edhe Ajaksi po bëhet më trim se zakonisht. Tri ndeshjet e mbetura do të jenë vendimtare dhe thuajse të gjithë kanë shpresa.