E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rajkard per Milanin

Një tjetër humbje në fushë, një tjetër emër stoli që del në media. Tashmë për Milanin ekziston edhe një kandidaturë tjetër për të zëvendësuar Masimiliano Alegrin, nëse klubi do të vendoste divorcin. Ky kandidat quhet Frank Rajkard, ish-lojtar i madh i Milanit dhe Holandës dhe ish-trajner i shkëlqyer i Barcelonës.
Në Lombardi thonë se favorit për t’i zënë vendin Alegrit quhet Tasoti, një nga flamujt e klubit, veçse askush nuk ka kredenciale më të mira sesa Rajkard, njeriu që krijoi Barcelonën e madhe të viteve 2004-2008, përpara ardhjes së Guardiolës, trajnerit që e bëri edhe më të madhe me ndihmën e Ksavit, Mesit dhe Iniestës.
Mediat shkruajnë se Rajkard ka pasur kontakte me drejtues të milanistëve. Për stolin kuqezi ka dalë në skenë edhe emri i Rafael Benitezit, ish-trajnerit të Valencias, Liverpulit dhe Interit, por kjo duket një hipotezë shumë pak serioze për t’u marrë parasysh.
Duke u kthyer tek Milani, disfata në Champions në fushën e Malagës nuk është se e kompromenton ecurinë e kuqezinjve në Europë, por ajo i shtohet serisë së dështimeve të këtij fillimi sezoni, një start që dikush thotë se është më i keqi në 30 vjet dhe dikush tjetër në plot 70 vjet.
Alegri ka deklaruar pas Malagës se nuk do të japë dorëheqje, pasi kjo nuk është në karakterin e tij. Natyrisht, ai ia lë gjithçka në dorë klubit, që deri tani e mbështet.
Janë gjashtë humbjet e deritanishme të skuadrës së Milanos në Itali dhe në Europë dhe parashikimet janë që moti do të vazhdojë të jeti i keq edhe në të ardhmen, pavarësisht se Alegri mendon ndryshe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›