Opozita s’kërkon më hapje kutish, por mosrrëzimin e pallatave të mafias
Thirrja e trashëgimisë komuniste/Në 130-vjetorin e ditëlindjes së Stalinit, caktohet protesta e radhës në Tiranë
Partia Socialiste ka hequr dorë dje nga kërkesa për hapje kutish e rinumërim votash dhe e ka këmbyer këtë kërkesë, me kërkesa për mosprekjen e bizneseve dhe pallateve të jashtëligjshme. Këtë “iniciativë” më të fundit të PS-së, e ka paralajmëruar dje deputeti i kësaj partie Blendi Klosi. Jo vetëm ka, por krahas kësaj, Klosi ka paralajmëruar edhe fillimin e një vale të re protestash që fillojnë të hënën nga Durrësi.
Këtë valë të re protestash të “prezantuar” dje, PS-ka ka bërë të ditur se do ta përfundojë në ditën e 130-vjetorit të ditëlindjes së Stalinit, pikërisht në 21 dhjetor, të këtij viti, me një protestë të fundit në Tiranë.
Në deklaratën e tij të djeshme, ku si të gjithë “speaker”-at e PS-së doli lexoi dhe iku pa pranuar ti përgjigjet ndonjë pyetje të mundshme të gazetarëve, Blendi Klosi, vetëm kërkesën për hapej kutish dhe rinumërim votash, nuk artikuloi.
Duke dhënë “sihariqin” se “nga dita e hënë 14 Dhjetor, Partia Socialiste e Shqipërisë së bashku me opozitën e bashkuar qytetare do të organizojë në të gjithë vendin një valë protestash popullore...”.
Duke sqaruar qëllimin e kësaj vale të re protestash, Blendi Klosi bëri të ditur se ato do të organizohen sepse opozita do “mbrojtje për bizneset e tyre”.
Ndërsa “mbrojtja e bizneseve të opozitës” është e reja e protestave të radhës, që do të përfundojnë në 21 dhjetor në Tiranë, për koincidencë apo jo, edhe dy vjet më parë, opozita sërish protestonte në Tiranë, nënë pretekste të njëjta, sikurse po mundohet të motivojë këtë valë të re protestash të paralajmëruar dje nga Blendi Klosi.
Përveç pjesës së “mbrojtjes së bizneseve të saj”, edhe dy vjet më parë, opozita, në përkujtim të ditëlindjes së Stalinit (atëherë 128-vjetori), nën pretekstin e “keqqeverisjes së mazhorancës”, e motivonte atë protestë “për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike, kufizimeve në furnizimin e popullatës me energji, çmimeve që kanë pësuar një rritje galopante”, etj.
Ashtu sikurse edhe dy vjet më parë, edhe dje Blendi Klosi, në paralajmërimin e valës së re të protestave, që përfundojnë në 21 dhjetor 2009, në Tiranë, nuk bëri asgjë më shumë të ditur, për shkaqet e tjera të kësaj, se sa, “të hënën 14 dhjetor fillon me Durrësin protesta jonë njëjavore për krizën e demokracisë e të ekonomisë së familjeve shqiptare. Të hënën 14 dhjetor ne do të protestojmë në Durrës për të gjitha pasojat e kutive të mbyllura, që nga rritja e çmimit të energjisë apo vizitave në spital...” etj.
Sot, duke u nisur nga krahasimi i atyre që tha Blendi Klosi dje, me ato që thoshte kreu i Fondacionit “Qemal Stafa”, Saimir Tahiri dy vjet më parë, nuk mund të mos vësh re se, sërish opozita, demonstron se nga 21 dhjetori 2002 deri te 21 dhjetori 2009, ajo as pretekstet për protesta, nuk ka mundur “të moderojë”.
E thënë më shkurt, opozitës i ka ngelur ora të paktën dy vjet prapa.
I vetmi ndryshim, nga 21 dhjetori i vitit 2007 deri në 21 dhjetorin e vitit 2009, është se këtë vit opozita proteston edhe për bizneset e saj të jashtëligjshme, ndërsa edhe Stalini është dy vjet më “i plakur” dhe se ky vi, është një vit jubilar për ditëlindjen e tij, për festimin sa më mirë të së cilës, opozita do di të organizojë një protestë të merituar për udhëheqësin e saj shpirtëror.