Shamku: "Berisha, jepu shkollë fëmijëve"
Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Socialiste ka mbështetur protestën e 50 familjeve në Malësinë e Madhe, të cilët nuk mund të çojnë fëmijët në shkollë për shkak të mungesës së rrugës. “Në Grudë të Malësisë së Madhe protestuan dje 50 familje ose mbi 200 shqiptarë. Shkak qe tallja e radhës e Jozefinës dhe Saliut, për fondet e rrugëve rurale. Dy rrugë që lidhin Grudën e skajshme me qendrat e banuara nuk janë shtruar. Fondet, edhe pse janë çelur, nuk kanë mbërritur kurrë në destinacion. Mashtrimi i radhës i qeverisë për këta shqiptarë. Mashtrimi i radhës i qeverisë për 6 mijë kilometrat e rrjetit rrugor që u nuk bënë kurrë. Ndaj ne i bëjmë apel Jozefinës dhe shefit të saj Saliut, të mos tallen më me banorët e Grudës, por të shtrojnë rrugët ose të largohen”, - tha dje deputetja Ledi Shamku. Shamku sqaroi se ajo çka irritoi këta shqiptarë që rrojnë në varfëri të skajme, është fakti se mungesa e këtyre rrugëve lë mirëfilli pa shkollë mbi 150 fëmijë të këtij fshati. “Nga sot këta 150 fëmijë rrezikojnë të mbeten analfabetë, çka do të thotë të varfër, të margjinalizuar dhe të pashpresë. Sali Berisha, shqiptarët ty të kërkojnë të shkojnë në shkollë, ata nuk janë fëmijët që kanë babanë kryeministër. Një shkollë për ta sot është e pamundur. Mos u moho të drejtën e shkollës 150 fëmijëve të Grudës. Sali Berisha, ti shef i analfabetizmit, jepu shkollën këtyre fëmijëve ose largohu”, - përfundoi ajo.
Ky lajm është publikuar: 20/12/2009