Xhaçka: Pa transparencë, herët të flitet për zgjedhje
Transparenca për 28 qershorin kushtëzon të gjitha proceset politike në Shqipëri. Deputetja socialiste Olta Xhaçka përcjell në një intervistë për “Shqip” një mendim tanimë të pjekur në selinë rozë, sipas të cilit këmbëngulja për hapjen e kutive është premisa e vetme për një të ardhme normale dhe sa më afër familjes europiane.
Prej disa javësh, Partia Socialiste ka thyer bojkotin total ndaj Kuvendit dhe tanimë ka alternuar protestat në rrugë me pjesëmarrjen në seanca vetëm gjatë 60 minutëshit të debatit të lirë. Si e konsideroni këtë strategji të re të ndjekur nga PS-ja?
Marrëdhënia e kushtëzuar me Kuvendin ka qenë për Partinë Socialiste një zgjedhje e detyruar nga imponimi i paligjshëm i mazhorancës për të mos bërë transparencën e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kemi qenë dhe mbetemi tërësisht të përkushtuar në përpjekjen tonë për t’i dhënë fund krizës politike, duke bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve si të vetmen mënyrë për t’i dhënë fund njëherë e mirë deformimeve sistematike të proceseve zgjedhore dhe shkeljes së parimeve të shtetit të së drejtës nga vetë institucionet që duhet t’i mishërojnë ato. Duke mos bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve nëpërmjet një komisioni hetimor parlamentar, mazhoranca po i mohon Parlamentit të drejtën për të hetuar punën e institucioneve që merren me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, të identifikojë përgjegjësitë administrative dhe të bëjë rekomandime për përmirësime të ligjit ekzistues në funksion të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Asnjë institucion tjetër, përveç Parlamentit, nuk e ka detyrë funksionale apo veprimtari kushtetuese hetimin në funksion të transparencës dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme. Duke hetuar mbi dyshimet në lidhje me shkeljet e ligjit dhe akteve nënligjore që rregullojnë procesin zgjedhor, parregullsitë në procesin e numërimit, shpërdorimin e aseteve publike dhe administratës publike gjatë fushatës zgjedhore etj., do të përmbushej një detyrim i rëndësishëm parlamentar - respektimin e së drejtës kushtetuese për informim të publikut, si një nga parimet themelore, mbi të cilat ndërtohen e funksionojnë shoqëritë demokratike. Komisioni hetimor me objekt të kushtëzuar (për të mos hapur kutitë) që mazhoranca e votoi në shkelje të hapur të rregullores së Kuvendit nuk e kryen dot këtë funksion. Aq më pak do mund ta kryenin transparencën e plotë 100 prokurorët e premtuar nga Kryeministri Berisha, premtim i cili është një farsë, pasi do të duhej të ndryshohej Kushtetuta e ligji mbi funksionimin e prokurorisë. Në këto kushte jemi të detyruar të qëndrojmë krah popullit opozitar në protesta e t’i përfaqësojmë ata në Parlament vetëm sa i takon çështjes së transparencës. Pa transparencën e plotë të zgjedhjeve që do të shërbente si garanci për integritetin e zgjedhjeve të ardhshme nuk mund të ketë normalizim të jetës parlamentare. Për ne rendi i hapave që duhen hedhur është i qartë.
është deklaruar se protestat e opozitës do të kulmojnë në datën 30 prill, kur dhe do të mbahet mitingu në kryeqytet. Sipas asaj çfarë ka deklaruar zoti Rama, protestat do të vijojnë edhe më tutje deri në largimin e qeverisë. Si mund të realizohet kjo?
Në radhë të parë, kërkesat tona mbështeten në një sërë domosdoshmërish jetike për demokracinë dhe marrja parasysh nga ana e qeverisë të këtyre kërkesave, tërësisht të lidhura me parimet e funksionimit të jetës demokratike, do të kishte shmangur protestat dhe do t’i kishte dhënë fund edhe krizës politike. Në kushtet kur ndeshemi me një qeveri, e cila tjetërsoi vullnetin e zgjedhësve për të drejtuar në funksion të interesave të ngushta dhe jo të shqetësimeve e aspiratave të të gjithë qytetarëve, jemi të detyruar të qëndrojmë krah të gjithë atyre shqiptarëve që kërkojnë drejtësi e dinjitet në kushtet e një qeverisjeje ilegjitime, të paaftë e të papërgjegjshme për të drejtuar vendin në funksion të përmirësimit të jetës për të gjithë.
Së fundmi, Asambleja Kombëtare e PS-së miratoi ndryshimet në statutin e partisë. Si i konsideroni këto përmirësime dhe konkretisht a besoni se u nxitua në hedhjen poshtë të propozimeve për “oponencën kolektive” dhe nenin që sanksionon mosrikandidimin e kryetarit për mandatin e parë pas humbjes së zgjedhjeve?
I konsideroj ndryshimet shumë pozitive, pasi ato sjellin përmirësime në strukturën organizative të partisë në nivel vendor dhe rajonal. Propozimet u paraqitën pas një analize të hollësishme të eksperiencave më të mira në vite të funksionimit të brendshëm të PSSH-së, si dhe në përvojën e partive simotra të Internacionales Socialiste dhe të Partisë së Socialistëve Europianë, ku PSSH-ja aderon. Sa i takon pjesës së dytë të pyetjes suaj, sipas dijenisë sime propozimi për sanksionimin e “oponencës kolektive” është një propozim i ripërsëritur. është një çështje që i është nënshtruar një diskutimi të gjatë, por edhe një çështje që është anketuar përmes një studimi mbi ndryshimet statutore që u organizua me rreth 5000 anëtarë të asambleve socialiste të bashkive dhe komunave në të gjithë vendin, duke marrë në shumicë përgjigje negative. Fatmirësisht Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që nuk censuron mendimin ndryshe e kritikat konstruktive brenda strukturave të saj, duke pasur besoj një efekt të përgjithshëm emancipues për kulturën politike në vend. Nuk jam kundër “oponencës kolektive”. Por gjykoj se nevoja është më e madhe për të ruajtur kohezionin e brendshëm të partisë.
Ndonëse lufta politike midis pozitës dhe opozitës vazhdon, vetëm një vit na ndan nga zgjedhjet lokale. A do futet Partia Socialiste në këto zgjedhje dhe a e shikoni si të duhur një rikandidim të zotit Rama?
E përmenda edhe më sipër. Transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit është një domosdoshmëri për të garantuar që vullneti i zgjedhësve nuk do të deformohet në zgjedhjet e ardhshme, qofshin këto vendore apo të përgjithshme. Pa bërë transparencën do të ishte e parakohshme të flisnim për zgjedhje apo kandidatë.
Ka pasur një debat edhe në asamblenë e fundit sa i takon zgjedhjes së Kryesisë dhe sekretariatit ekzekutiv të PS-së. është kërkuar që të ketë kandidatura alternative dhe të zbatohet skema e votimit për këto forume. Ju si e mendoni?
E theksoj se çështjet që ju përmendni në pyetjen tuaj janë procedurë e për to do të zbatohet statuti në çdo nen të tij. Me rëndësi sot nuk janë procedurat statutore të Partisë Socialiste, por kriza e shumëfishtë politike, ekonomike e institucionale, me të cilën përballen të gjithë shqiptarët në kushtet kur ka humbur kufiri mes asaj që është e ligjshme dhe asaj që është e paligjshme, të së drejtës dhe padrejtësisë, mes asaj që është fituar me djersë dhe përfitimeve me grabitje e korrupsion. Me rëndësi sot është rënia ekonomike me 0.8% vetëm në tremujorin e fundit, duke e futur vendin në recesion. Me rëndësi janë perspektivat e rreme për mirëqenien ekonomike që shqiptarët nuk gëzojnë, edhe pse jetojnë në një vend të begatë në mes të Europës; rritja eksponenciale e faturës së energjisë elektrike jashtë çdo afati të parashikuar në ligj, rritja e çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm që ua bëjnë jetën të pamundur shumicës së familjeve shqiptare; viktimat e Gërdecit që nuk gjejnë drejtësi; të përmbyturit e Shkodrës dhe fushës së Maliqit që nuk po kompensohen siç duhet; minatorët që nuk gëzojnë pensionet; fshatarët që nuk mbjellin dot tokat e nuk shesin dot prodhimet; të persekutuarit e të përndjekurit që mbetën më të përdorurit; ish-pronarët që sorollaten dyerve të administratës e të gjykatave; studentët që mbetën viktima të një reforme pa perspektive; shtresat në nevojë që mbahen me lëmoshë, e shumë të tjerë. Me rëndësi sot është të mos vazhdojmë përmes arrogancës qeverisëse t’i kthejmë qytetarët shqiptarë çdo ditë e më shumë në spektatorë pasivë të teatrit politik e politikën në një ushtrim kokëfortë, bosh e të pavlerë, krejtësisht të shkëputur nga hallet, interesat dhe aspiratat e qytetarëve. E rëndësishme sot është të ndajmë Shqipërinë një herë e mirë nga epoka e zgjedhjeve të deformuara e qeverive që nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit e që nuk drejtojnë në emër të tyre.
#