Shkumbini eliminon Dinamon nga Kupa
Një Dinamo e lodhur dhe pa grintë u dorëzua përpara një Shkumbini shumë të kujdesshëm në “Qemal Stafa”, që falë një goli të realizuar nga Endri Bakiu në fundin e ndeshjes duke nxjerrë jashtë loje as më pak dhe as më shumë por liderin absolut të Superligës, me dy fitore të njëpasnjëshme. “Një skuadër pa karakter, e cila nuk pati atë forcën që me shpirt nëpër dhëmbë të nxirrte golin e fitores”, - tha pas ndeshjes trajneri i Dinamos, humbësi Shkëlqim Muça, ndërkohë që triumfuesi Përparim Daiu preferoi heshtjen që “vret”. Me katër gola në tri ndeshje kundër Dinamos (3 në kupë dhe 1 në kampionat), 23-vjeçari Endri Bakiu, shndërrohet kështu në një “vrasës të lindur” të bluve, nisur dhe statistikat e ish-sulmuesit të Bylisit, por të huazuar te skuadra ballshiote në sezonet 2007-2009 pikërisht nga klubi i presidentit Besnik Sulaj. Në ndeshjen e parë çerekfinale të luajtur në Peqin, falë dy penalltive të realizuara nga sulmuesi Endri Bakiu, Shkumbini arriti të përmbysë dizavantazhin 0-1 me Dinamon (shënoi Kuli), duke fituar 2-1. Dinamo, përtej asaj që pritej, nuk e realizoi dot “misionin e pamundur”, për një fitore të dyfishtë në edicionin që përkon me 60-vjetorin e themelimit të klubit të Ministrisë së Brendshme, pasi u ndal nga një Shkumbin, që ka fituar 3 nga 4 takimet sezonale kundër bluve (2 në kupë e 1 në kampionat). Shkumbini futet për herë të katërt midis katër ekipeve më të mira të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që goli i Endri Bakiut është i 175-ti i realizuar nga peqinasit në 99 ndeshje historike të bardhekaltërve (49 fitore). Për herë të fundit në gjysmëfinale, Shkumbini ka qenë pjesë në edicionin 2008-2009, kur e eliminua nga Flamurtari, fituese e trofeut në një finale kundër Tiranws (2-1).
KUPA E SHQIPËRISË
ÇEREKFINALET
Ndeshja e parë
Shkumbini –Dinamo 2-1
E mërkurë, 24 shkurt 2010, fusha e Peqinit
Shënues: Endri Bakiu 65’ (p) e 77’(p)/ Bekim Kuli 55’
Ndeshja a kthimit
Dinamo-Shkumbini 0-1
Shënues: Endri Bakiu 89’
E martë, 16 mars 2010, Stadiumi “Qemal Stafa”
Kualifikohet Shkumbini me rezultatin e përgjithshëm 3-1
RRUGA E SHKUMBINIT
Në turin e parë Shkumbini eliminoi Memaliaj e Kategorisë së Parë me dy fitore të ngushta: 1-2 në Memaliaj dhe 1-0 në Peqin. Në turin e dytë eliminoi Kastriotin: barazoi 1-1 në Krujë dhe fitoi 1-0 në Peqin. Në ndeshjen e parë çerekfinale fitoi 2-1 kundër Dinamos në Peqin, ndërsa në atë të kthimit në Tiranë fitoi 1-0.
SHKUMBINI
Pjesëmarrëse: në 21 edicione
Në çerekfinale: 10 herë
Në gjysmëfinale: 4 herë
Në finale: 0 herë
Fituese: 0 herë
Finale të humbura: 0 herë
TRE FITORET E SHKUMBINIT
Shkumbini-Dinamo 4-0
(Kampionat, java 16)
Me një “poker” madhështor 4-0, pikërisht në debutimin e trajnerit të ri, Përparim Daiu, Shkumbini i shkaktoi Dinamos humbjen e parë në 16 javët e para të Superligës. Isidor Sekseri(11’), Ilirjan Çaushaj (22’, penallti), Endri Bakiu (58’) dhe maqedonasi (77’) firmosën fitoren ndaj një Dinamoje, që luajti nga minuta e 31-të me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të Bekim Kulit.
Shkumbini-Dinamo 2-1
(Kupë, ndeshja e parë çerekfinale)
Falë dy penalltive të realizuara nga sulmuesi Endri Bakiu, Shkumbini arriti të përmbysë dizavantazhin 0-1 me Dinamon (shënoi Bekim Kuli), duke fituar 2-1 sfidën e parë çerekfinale të Kupës, triumf që rezultoi produktiv në ecurinë drejt gjysmëfinaleve të kupës.
Dinamo-Shkumbini 0-1
(Kupë, ndeshja e dytë çerekfinale)
Një Dinamo e lodhur dhe pa grintë u dorëzua përpara një Shkumbini shumë të kujdesshëm në “Qemal Stafa”. Skuadra peqinase fitoi takimin falë një goli të realizuar nga Endri Bakiu në fundin e ndeshjes duke nxjerrë jashtë loje as më pak dhe as më shumë por liderin absolut të Superligës.
Besa
Është e kualifikuara e parë në gjysmëfinalet e edicionit të 58-të Kupës së Shqipërisë. Në çerekfinale skuadra kavajase eliminoi Tiranën: fitoi 2-0 në Kavajë dhe humbi 4-2 në kryeqytet.
Teuta-Gramozi
Çifti Teuta-Gramozi do të përcaktoj skuadrën e katër gjysmëfinaliste. Takimi i parë përfundoi në barazim 1-1 me kolonjarët si skuadër pritëse në asnjanësin “Ruzhdi Bizhuta”.
17 Mars 2010