E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Berisha shpërfill NATO-n për projektligjin e shërbimit sekret”



Kryeministri Sali Berisha ka kurajën të shpërfillë qëndrimin e ambasadorit amerikan John Withers për rishikimin e projektligjit të Shërbimit Informativ të Shtetit, edhe pse Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dje, nga selia rozë, i bëri thirrje kreut të Ekzekutivit të japë shpjegime për shpërfilljen ndaj ndërkombëtarëve për konsultimin e këtij projektligji me ekspertë të huaj. Gjithashtu, Rama i bëri thirrje Berishës të tërheqë projektligjin për shërbimin sekret pasi opozita nuk do të lejojë që ky projekt të kalohet në Kuvend për miratim. Ndryshimet që u kërkuan të bëhen në projektin e miratuar nga qeveria prekin katër nene të ligjit aktual. Ato kanë të bëjnë me; detyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror; me detyrat e drejtorit të SHISH-it; me afatin e qëndrimit në detyrë të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it; si dhe me bashkëpunimin e SHISH-it me shërbimet e informacionit të vendeve partnere. Kundërshtimet e ndërkombëtarëve nisin që me mandatin 5-vjeçar të drejtuesit të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe deri te format e reja të varësisë që propozon projektligji. Shpërfilljen e kryeministrit Berisha ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rama e ka konsideruar një turp jo vetëm për Berishën, por edhe për Shqipërinë në marrëdhëniet me SHBA-të. “Kemi pritur tri ditë me radhë reagimin e zotit Berisha për deklaratën shumë shqetësuese të ambasadorit Withers, i cili, në emër të aleatit më të madh të shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vuri alarmin për një projektligj të ulët në qëllim të rrezikshëm në përmbajtje e të shëmtuar në formë, që nuk e ka pëlqimin e partnerit tonë kryesor”, - u shpreh Rama.

17 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›