E Diel, 1 Nëntor 2026

“Çamëria” çel konkursin për rehabilitimin e varrezave në Kallogjer

23/06/2011  Përkujtohet humbja e jetës së 2 mijë çamëve gjatë marshimit

Shoqata “Çamëria” ka çelur dje konkursin për rehabilitim dhe sistemimin e varrezave të Kllogjerit në Qafë-Botë në Jug të vendit, në kujtim të mbi 2 mijë çamëve që humbën jetën nga uria dhe lodhja gjatë dëbimit nga grekët në fund të vitit 1944 prej trojeve të tyre. Projektideja prezantohet në prag të 27 qershorit, e përcaktuar nga Kuvendi i Shqipërisë që në vitin 1994 si dita e shovinizmit grek kundër çamëve. “Ajo çfarë na ka mbledhur ne sot është qëllimi fisnik për të nderuar kujtimin e këtyre njerëzve dhe sigurisht për të lehtësuar në njëfarë mënyre shpirtrat tanë, duke pasur mundësinë t’i nderojmë këta njerëz, që të derdhim lot për ta, të vendosim kurora me lule dhe ne sigurisht këtë do ta nisim përmes këtij projekti dhe më tutje përmes marshimit që ne do të bëjmë në Qafë-Botë, pikërisht të shtunën e kësaj jave. Marshimi do të bëhet nën titullin “Trëndafilat e Çamërisë”, sepse secili prej atyre që prehet në këto varreza është vërtet një trëndafil i Çamërisë”, - tha kreu i shoqatës patriotike “Çamëria” Ardian Tana. 27 qershori është shndërruar vitet e fundit në një pelegrinazh masiv, ku mijëra shqiptarë, jo vetëm çamë, por dhe nga treva shqiptare brenda dhe jashtë vendit, përkujtojnë masakrat greke mbi popullsinë çame në dimrin e vitit 1944. Varrezat, në një sipërfaqe mbi 12 mijë metra katrorë, janë në pronësinë e shoqatës “Çamëria” dhe deri në fund të shtatorit duhet të paraqitet dosja nga studiot projektuese, e cila duhet të përmbajë detaje të rëndësishme, si ngritjen e një obelisku dhe anën dekorative të monumentit. Dosja e aplikimit duhet të dorëzohet deri më 30 shtator në komisionin përkatës, të drejtuar nga shoqata “Çamëria”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›