Qeveria subvencionon transportin e banorëve në komuna për aplikimin e kartave
Qeveria do të subvencionojë transportin për shtetasit që ndodhen në zona me distancë të largët nga qendrat e aplikimit për letërnjoftimin elektronik. Kjo vendimmarrje shënon një tjetër lehtësi nga ana e qeverisë, për të nxituar këtë radhë një tjetër kategori të caktuar shtetasish në mënyrë që ata të aplikojnë për letërnjoftime elektronike, të cilat janë konsideruar si kushti themelor për arritjen e zgjedhjeve të lira dhe për integrimin e Shqipërisë në BE. Hapin më të fundit të ndërmarrë nga qeveria shqiptare, kryeministri Berisha e ka cilësuar një hap pozitiv në nxitjen e procesit, të cilin e cilësoi të suksesshëm dhe me ritme aktuale, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë pretendimet e opozitës se procesi po dështon.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha, duke prezantuar vendimin tha se qeveria do të paguajë transportin e shtetasve në komunat dhe fshatrat e tyre që janë larg qendrave të aplikimit për pajisjen me letërnjoftimin elektronik. Me riorganizimin e Gjendjes Civile, në disa komuna pati një heqje të tyre, për shkaqe objektive administrative dhe është në rishqyrtim e riorganizim e krijimit me kohë të pjesshme i zyrave të gjendjes civile në këto komuna, por, derisa të krijohen, zgjedhësit e këtyre komunave do të kenë të paguar transportin për në komunat, ku ndodhen qendrat e aplikimit. Ka komuna shumë të hapura që, realisht, në këmbë janë mbi tre orë dhe këtyre zgjedhësve qeveria do të marrë përsipër tu paguajë transportin për në qendrën e aplikimit, u shpreh kryeministri. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha konsideroi se masat e qeverisë kanë qenë jashtëzakonisht të efektshme dhe numri i personave që kanë aplikuar kanë arritur në 17 mijë në ditë dhe tendenca është të shkohet drejt 20 mijë aplikime në ditë dhe sipas tij kapacitet janë të plota për ta përfunduara brenda muajit maj. Në këtë drejtim, kryeministri informoi se procesi i aplikimit ecën me ritme të shpejta dhe se gjatë 2-3 ditëve të fundit janë ndërmarrë dy hapa shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Instituti i Sigurimeve Shoqërore po blen kuponët për shtresat në nevojë dhe qeveria, në datën 1 maj, do të shtojë në fondin e Institutit të gjithë shpenzimet që ai po bën paradhënie. E njëjta gjë po bëhet me studentët. Është në përfundim verifikimi i listës së studentëve që nuk kanë pasaportë. Pesë ditë më parë, ka filluar edhe procesi për kuponët për personat që janë në asistencë sociale, ka theksuar Berisha. Sipas kreut të qeverisë, firma që merret me përgatitjen e kartave ka hapur edhe 58 qendra shpërndarjeje më tepër, sesa është parashikuar në kontratë dhe nëse të gjithë shqiptarët do të aplikonin sa më parë, procesi i pajisjes me karta identiteti do të përmbyllej brenda majit, duke përmendur këtu raportin nga Fondi Shqiptaro-Amerikan që është pjesëmarrës i konsorciumit Aleat që prodhon kartat.