E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha fundos synimin e Ramës për shtyrjen e zgjedhjeve, nuk ka karta falas

Kryeministri Berisha ka shuar çdo shpresë të opozitës për dhënien falas të kartave të identitetit, duke veçuar faktin se qeveria e ka mbyllur kapitullin e krijimit të lehtësive për marrjen e letërnjoftimeve, për të gjithë shtresat në nevojë. Në këtë mënyrë, kreu i qeverisë ka i kthyer përgjigje të prerë Partisë Socialiste, duke iu përmendur atyre masat e marra nga qeveria që sipas tij kanë qenë jashtëzakonisht të efektshme. Por, pavarësisht qëndrimit strikt të qeverisë për mosdhënie të kartave falas, opozita nuk dorëzohet dhe nuk heq dorë nga kërkesa e saj, duke bërë në këtë mënyrë që procesi i letërnjoftimeve elektronike të kthehet në një mollë sherri mes qeverisë dhe opozitës. Kreu i qeverisë i kundërpërgjigjet opozitës me dhënien falas të kartave për disa kategori të tjera sociale, dhe hedh poshtë në këtë mënyrë kërkesën e kreut të opozitës, Edi Rama për shpërndarjen falas të tyre. Shefi i qeverisë, i cilësoi kërkesat e opozitës për heqjen e taksës së votës, jo vetëm deklarata sharlatanësh, por edhe spekulim dhe mashtrim ndaj qytetarëve. Para pak ditësh PS deklaroi se i linte një javë afat qeverisë që të vendoste për të urdhëruar shpërndarjen falas të kartave, duke paralajmëruar se procesi zgjedhor në të kundërt ishte në rrezik për shkak të taksës së votës. Sipas Berishës, pretendimet e opozitës për taksën e votës, janë absurde, pasi kartat janë dhënë me çmimin minimal dhe thekson se procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik po ecën me ritme të shpejta. Edhe në këtë deklaratë të tij, kreu i qeverisë ka kundërshtuar pretendimet e opozitës për dështim të procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike. Këto janë zhvillime shumë pozitive. Ata që spekulojnë me të ashtuquajturën taksë vote, bëjnë një akt sharlatanizmi të paprecedent dhe përpiqen të mashtrojnë si ordinerë qytetarët, ka theksuar Berisha. Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij ai veçoi se çmimi i kartës nuk ka qenë kurrë çmimi i prodhimit të mallit. Çdo shqiptar blen dhe e di se blerja nuk është taksë. Në çmimin e blerjes ka një taksë, është e vërtetë, por në çmimin e blerjes së këtyre kartave nuk ka asnjë taksë. Çmimi i prodhimit të mallit bazohet mbi koston dhe ka mënyrën e tij të llogaritjes. Qeveria jo vetëm nuk ka vendosur taksë mbi çmimin e prodhimit, përkundrazi për rreth 700 mijë qytetarë ka paguar çmimin në masën 80 deri në 100% të tij dhe merr nga 200 lekë deri falas. Në një kohë, kur në të gjitha vendet përreth, këto karta janë shituar edhe deri në 50 euro. Ne po e japim me 1.5 euro, ka theksuar Berisha. Sipas tij, opozita po përpiqet të mashtrojë qytetarët ku në këtë drejtim ka përmendur pasaportat me çmimin 5 mijë lekë, si dhe certifikatat me fotografi, të cilat i ka quajtur spekulim shumë primitiv. Ata po përpiqen të mashtrojnë qytetarët. Çfarë mund tu thuash qytetarëve që i kanë blerë pasaportat me çmimin 5 mijë lekë dhe nuk janë një apo dy, por 2 milionë shqiptarë dhe këtë çmim e kemi gjetur nga qeveria socialiste. Apo për certifikatat me fotografi. Ndaj ky është një spekulim shumë primitiv, u shpreh kryeministri. Kartat e identitetit janë kthyer në një debat të hapur mes PS dhe qeverisë. Ndërsa për PS çmimi i kartave do dështojë procesin zgjedhor, duke propozuar që kartat të jepen falas për kategori të caktuara në popullsi, nga ana tjetër qeveria mbron çmimin e kartave duke sjellë shembuj nga vende të tjera që aplikuar për to. Duke hasur në kundërshtimin e qeverisë për kartat, PS ka zgjedhur të bojkotojë çdo komision kuvendor si dhe punimet e Parlamentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›