Xhafaj: Drejtësia, jo tkurrje të buxhetit
Partia Socialiste i kërkoi dje shumicës qeverisëse të ndikojë në rritjen e buxhetit për institucionet e drejtësisë, të paktën në 1% të PPB-së. Sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, e kushtëzoi këtë me qëndrimin e mëtejshëm në raport me reformën në këtë sistem. Ai tërhoqi vëmendjen për raportin që krijohet ndërmjet projektbuxhetit të vitit 2009 me reformën në drejtësi. "Sistemi gjyqësor vazhdon të jetë problematik, me procedura të ngadalta dhe jo transparente", tha Xhafaj. Teksa iu referua raporteve ndërkombëtare dhe strategjisë kombëtare të zhvillimit, ai konstatoi se për të garantuar një mirëfunksionim të sistemit të drejtësisë në tërësi, është e domosdoshme që shteti të realizoj një mbështetje financiare të këtij sistemi. "Sipas një plani veprimi të shtirë në një hark kohor disavjeçar, duke arritur deri edhe në përcaktimin e një niveli financiar si një përqindje e caktuar e PPB", u shpreh Xhafaj. PS kujton se ka kërkuar rritjen e pagave të gjyqtareve, prokurorëve dhe të gjithë funksionareve të tjerë të sistemit të drejtësisë në atë masë që të jetë si mburoje ndaj presioneve që synojnë të ndikojnë në vendimet e tyre dhe në përgjithësi në sjelljen e tyre, duke ndihmuar ne garantimin e pavarësisë dhe paanshmërisë. Xhafaj nënvizoi se është e pamundur që ne të kemi një infrastrukturë të shëndetshme të sistemit të drejtësisë në vend, nëse u referohemi investimeve të tre-katër viteve të fundit. Sipas tij, investimet e alokuara nga buxheti i shtetit për vitet 2006, 2007, 2008 të marra së bashku, mezi kalojnë nivelin e shifrës të vitit 2005, ndërsa parashikimi për vitin 2009 nuk është as sa 70% e vitit 2005. KLD, shtoi ai, ka kërkuar mbështetje buxhetore për garantimin e procesit të vlerësimit profesional të gjyqtarëve që gjykojnë në dy shkallët e para në sistemin gjyqësor, vlerësim, i cili, sipas ligjit të ri nr.9877, datë 18.02.2008, ‘Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë‘, duhet të realizohet të paktën një herë në tre vjet. "Rezulton se buxheti i akorduar nga Këshilli i Ministrave për investime të brendshme, është 2 milionë lekë, pra: 5 herë më pak sesa nevojat e parallogaritura prej nesh, 2 herë më pak sesa vlera tavan e llogaritur nga Ministria e Financave dhe po 2 herë më pak sesa masa e akorduar për vitin 2008, e cila gjithsesi nuk u përgjigjet nevojave të vazhdueshme të institucionit", insistoi Xhafaj. Sa i takon zyrës së Administrimit të Buxhetit të Gjyqësorit, vijoi ai, reduktimi i buxhetit në Shpenzime Operative, në shumën 22,000 milionë lekë, do të vështirësojë realizimin e plotë të njërit prej elementëve të sipërcituar, mbështetjen e infrastrukturës elektronike në gjykata. Duke iu referuar prokurorisë së Përgjithshme, Xhafaj vlerësoi se ka shkurtime të fondeve në raport me ato që janë kërkuar nga ky institucion. "Në këtë projektbuxhet nuk është miratuar kërkesa e prokurorisë për një shtesë prej 15 punonjës, kërkesë që është e domosdoshme dhe e argumentuar", tha Xhafaj.