Rama: Qeverisë vijojnë t’i vijnë përfitimet nga “virxhin”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka ndalur turin e tij të takimeve me bazën në qytetin verior të Pukës. Duke e shpallur Partinë Socialiste si alternativën më të mirë për ta nxjerrë vendin nga kriza, Rama akuzoi sërish qeverisjen aktuale se e ka zhytur vendin në varfëri e papunësi. “Saliu grabit nëntokën e mbitokën, por ne sot jemi më shumë se asnjëherë. Partia Socialiste është e vetmja rrugë për të mos pasur papunësi, e vetmja rrugë për të dalë nga varfëria, ku e ka zhytur vendin Saliu. Partia Socialiste do t’i kthejë njerëzve shpresën në këto momente të vështira që vendi po kalon”, - u shpreh kryesocialisti. Lideri i Opozitës foli edhe për kontrabandën e naftës, duke shigjetuar qeverinë, si të lidhur me të. Shqiptarët, u shpreh Rama nga Puka, ishin dëshmitarë të kësaj padrejtësie. “Shqipëria e pa bandën e organizuar, bandë e cila mbrohej nga qeveria. Skandali me kontrabandën e naftës është kulmi i padrejtësisë që Saliu i bën shqiptarëve”, - u shpreh Rama. Sipas kryesocialistit “në një kohë që të akuzuarit për kontrabandë janë në qeli, qeverisë vazhdojnë t’i vinë përfitimet në tryezë”. Kreu i Selisë rozë e quajti edhe njëherë qeverisjen aktuale regjim kusarie dhe matrapazllëku, i cili vrau më 21 Janar, por siç tha Rama do të ndryshohet nga PS. "Ky është regjimi i kusarisë e matrapazllëkut, regjimi që vrau më 21 janar për të vjedhur. Kjo është Shqipëria që ne jetojmë, kjo është Shqipëria që do ndryshojmë”, - deklaroi Rama nga Puka.