Problemet me kartat, Rama takon vëzhguesit
Kryetari i PS-së ka zhvilluar dje një takim me grupin e vëzhguesve të Këshillit të Europës
TIRANË- Problematika parazgjedhore dhe debati politik që ka mbërthyer palët politike në vend, ka sjellë ditët e fundit në Tiranë edhe një grup të vëzhguesve paraelektoralë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, kryesuar nga Corien Jonker.
Gjatë ditës së djeshme ata kanë zhvilluar një sërë takimesh me drejtues institucionesh dhe forcash politike në vend, ku janë njohur me qëndrimet e tyre lidhur me klimën politike që mbizotëron në vend, si dhe pretendimet për plotësimin e kushteve optimale për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ata kanë zhvilluar një takim, gjatë mesditës së djeshme, edhe me kreun socialist, Edi Rama, në zyrën e këtij të fundit, ku kanë marrë pjesë dhe sekretari për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami dhe ai për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj.
Megjithëse selia rozë nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar për objektin e bisedës së zhvilluar, burime pranë saj kanë konfirmuar se drejtuesit socialistë kanë paraqitur para vëzhguesve të Këshillit të Europës shqetësimet, që gjatë ditëve të fundit i kanë bërë publike për opinionin.
Kështu, mësohet se Rama ka evidentuar ndër problemet kryesore që po shoqëron këtë proces parazgjedhor problemin e kartave dhe pamundësisë kohore që ekziston që qeveria t'u japë të gjithë shqiptarëve shansin për të votuar më 28 qershor.
Ai ka denoncuar faktin që, edhe kur kanë mbetur më pak se tri javë nga dita e zgjedhjeve, ende qeveria nuk ka pajisur me letërnjoftime një numër të konsiderueshëm shtetasish që i kalon të 250 mijtë. Një tjetër çështje e ngritur prej socialistëve në këtë takim ka qenë edhe ajo e listave të zgjedhësve, ku, sipas selisë rozë, ekziston një mungesë totale informacioni nga organi i Ministrisë së Brendshme.
Gjithashtu, në takim është denoncuar edhe qëndrimi i njëanshëm në favor të PD-së, që, sipas socialistëve, po mban televizioni publik shqiptar në transmetimin e fushatës elektorale. Mësohet se në bisedën e zhvilluar, drejtuesit socialistë kanë sjellë si shqetësim të tyrin klimën e rëndë politike që krijuar në vend qeveria.
Në këtë linjë ata kanë sjellë edhe rastin e vrasjes së deputetit socialist, Fatmir Xhindi, i cili sipas selisë rozë u vra në kohë fushate elektorale. Ndërkohë që, gjatë pasdites, ekipi i vëzhguesve të KE-së zhvilloi një takim edhe me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, ku siç bëhet e ditur nëpërmjet një njoftimi zyrtar të zyrës së shtypit të këtij institucioni, nga ana e Kryeparlamentares janë evidentuar si pozitive të gjitha përpjekjet që mazhoranca e sotme po bën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Lidhur me shqetësimet e ngritura prej opozitës, ajo u është drejtuar miqve evropianë se "Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i kapur nga paniku, ka vendosur të bëjë çdo përpjekje për t'u ikur zgjedhjeve, por 28 qershori do të jetë dita më e bukur e zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka bërë ndonjëherë". Vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, pas këtij turi takimesh, pritet që të bëjnë publik dhe një raport për situatën paraelektorale në Shqipëri.