E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: Shtyrja e zgjedhjeve? Po e mendojmë seriozisht

Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, ka bërë kallëzim penal për tre subjekte të ndryshme në Prokurorinë e Tiranës, për çështjen e kartave të identitetit.


TIRANË- Kur kanë mbetur më pak edhe 22 ditë nga data e përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, Partia Socialiste nuk ka vendosur ende nëse do marrë pjesë në to apo do të kërkojë shtyrjen e tyre për një kohë të mëvonshme, derisa të realizohen të gjitha standardet e kërkuara për të zhvilluar zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.


Ka qenë sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, ai që duke bërë kallëzimet penale për tre subjekte të ndryshme në Prokurorinë e Tiranës, për çështjen e kartave të identitetit, ka deklaruar se forca që ai përfaqëson është duke u menduar lidhur me qëndrimin që do të mbajë për zgjedhjet e ardhshme.


Kështu, i pyetur nga gazetarët pasi doli nga dera e prokurorisë se, a do të kërkonte PS-ja shtyrjen e datës së zgjedhjeve në rast se situata e pajisjes së qytetarëve me karta nuk përmirësohej, ai u përgjigj:


"Ne jemi duke e menduar seriozisht këtë gjë". Por, duket se vendimi përfundimtar do të dalë nga analiza që drejtuesit socialistë do t'i bëjnë situatës së përgjithshme paraelektorale në Shqipëri, duke filluar që nga ecuria e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta, e për të vijuar me klimën politike elektorale që është krijuar në vend, si pasojë e fushatës. Në pritje të rezultateve të kësaj analize, sekretari socialistë ka deklaruar se çdo opsion, përfshi këtu edhe bojkoti apo shtyrja e zgjedhjeve, mbetet e i mundshëm.


"Së pari, ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë të dhëna të plota, jo të dhëna të deformuara dhe të falsifikuara si këto që na janë dhënë sot, sepse mbi bazën e atyre të dhënave, ne do të kemi mundësi që të gjykojmë realisht mbi riskun dhe situatën konkrete lidhur me çështjen e kartave të identitetit.


Kjo nga njëra anë. Nga ana tjetër, natyrisht, mbi bazën e këtij informacioni, ndjekjes së pandërprerë dhe një sistemi të plotë monitorimi që ne kemi në terren, në një moment shumë të përshtatshëm dhe të afërt, ne do të marrim vendimet përkatëse politike. Natyrisht, nuk përjashtohet asnjë opsion.


Ne nuk do të lëmë asnjë qytetar që të mos i jepet mundësia, në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit, për të ushtruar të drejtën e votës", - u shpreh Xhafaj. Ndërkohë, ai ka informuar mediat se në emër të selisë rozë kishte depozituar në organin e akuzës tre kallëzime penale, objekt i së cilave është çështja e kartave të identitetit. Më konkretisht, ai ka informuar se një prej kallëzimeve penale ka të bëjë me manipulimin e kartës së identitetit nga një shtetas.


Kallëzimi tjetër ka të bëjë me manipulimin e një funksionari lokal të Partisë Demokratike, duke shitur kuponë në këmbim të votës. Ndërsa kallëzimi i tretë, megjithëse nuk bëhet i ditur kundrejt kujt personi drejtohet, ka të bëjë me akuzën e falsifikimit të të dhënave dhe dokumenteve zyrtare nga strukturat e Ministrisë së Brendshme.


"Kjo është një nga rrugët që ne do të ndjekim për t'i prerë rrugën çdo lloj manipulimi të mundshëm në procesin zgjedhor të pritshëm, çdo lloj përpjekjeje për të deformuar rezultatin zgjedhor në zgjedhjet e 28 qershorit. Ne jemi të vendosur të respektojmë Kushtetutën dhe ligjin, por nga ana tjetër, për të mos u lënë asnjë mundësi manipulimi "Al Kaponeve" dhe "Arturo Ui-ve" që dëshirojnë të bëjnë me këto veprime", - tha Xhafaj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›