Kolegji Zgjedhor, nesër vendoset për agrarët
PS-ja ka depozituar kërkesën për përjashtimin e PAA-së. S'ka plotësuar kuotën e grave
TIRANË- Nesër pritet të përcaktohet fati i Partisë Agrare Ambientaliste. Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit ka përcaktuar të shtunën si ditën kur do të hapë gjykimin dhe do të marrë vendimin lidhur me kërkesën e socialistëve për të rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për regjistrimin e PAA-së në listën e forcave që do të garojnë për zgjedhjet e 28 qershorit.
Burime pranë kësaj gjykate kanë bërë të ditur se kolegji ka vendosur të marrë në shqyrtim këtë çështje pikërisht ditën e shtunë, pikërisht ditën që përbën afatin e fundit ligjor kur kolegji duhet të shprehet lidhur me kërkesën e një subjekti të interesuar, në këtë radhë të PS-së.
Nga ana tjetër, edhe Partia Socialiste, në limitet kohore që lejon ligji zgjedhor, apeloi në orët e vona të ditës së martë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me anë të cilit u pranua që të regjistroheshin listat shumemërore të Partisë Agrare Ambientaliste, duke kërkuar rrëzimin e tij.
Kërkesa e socialistëve përmban dy pika: njëra që ka të bëjë me çregjistrimin e listave shumemërore të PPA-së dhe tjetra që ka si objekt të saj pezullimin e vendimit të KQZ-së për prodhimin e fletës së votimit, deri në një vendim të kolegjit për fatin e kësaj force. Socialistët kanë argumentuar kërkesat e tyre, duke sjellë në vëmendje të Kolegjit se KQZ-ja ka miratuar listat e kësaj force politike duke mos respektuar ligjin për sa i përket kriterit të përfaqësimit në lista të secilës gjini në kuotën e 30%-shit.
Ndërsa kërkesa e dytë është argumentuar me arsyetimin se do të ishte humbje e madhe financiare për KQZ-në, në rast se do të vazhdonte të prodhonte një fletë votimi, ku të bënte pjesë edhe PAA-ja. Prandaj ajo ka kërkuar pezullim të vendimit të KQZ-së deri në një vendimmarrje të kolegjit për fatin e PAA-së.