E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: Ristani peng i urdhrave politik të Berishës

PS sulmon me akuza të ashpra kreun e KQZ. Pak orë përpara shqyrtimit të ankimit të PS për Fierin, Xhafaj akuzoi Ristanin se për shkak të problemeve të tij në të kaluarën është peng i urdhrave politik të kryeministrit. 

TIRANE- Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj në intervistën për televizionin “News24” adresoi akuza të ashpra ndaj kreut të Komisionit Qenmdror të Zgjedhjeve Arben Ristani. Xhafaj tha se kryetarit i KQZ-së është peng i problemeve të tij në të kaluarën për hir të të cilave ai tashmë është tërësisht i varur politikisht nga kryeministri Berisha.

“Nuk është faji i Partisë Socialiste që në jetën e tij Arben Ristani ka gëlltitur një lugë çorbë të prishur dhe është duke e vjellë atë lugë çorbë. Nuk është faji i PS-së që Ristani ka shumë probleme për të cilat mbahet peng nga Sali Berisha dhe për të cilat është duke u keqpërdorur politikisht gjatë këtij procesi zgjedhor. Ndaj i kërkoj publikisht që të respektoj ligjin, të jetë shumë i kujdesshëm me marrëdhëniet me PS-në dhe përfaqësuesit e saj ligjor, një marrëdhënie e cila duhet të ndërtohet tërësisht në bazë të ligjit e institucionale. Nuk e konsiderojmë normale që të merremi me jetën e individëve të caktuar me biografinë e individëve të caktuar, me biografinë e individëve të caktuar por detyrohem që një gjë të tillë ta bëj me Arben Ristanin nëse do të vazhdojnë kështu”- theksoi Xhafa gjatë intervistës dhënë për “News24”.

Një ditë më parë Presidenti Bamir Topi nënvizoi vakumet në Komisionin Qendror Zgjedhor për shkak të mangësive në përfaqësimet brenda këtij komisioni. Ndërkohë, anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, njëherësh një prej njerëzve që punuan për kodin e ri zgjedhor pohoi se ligji zgjedhor nuk i përjashton defektet lidhur me përbërjen e KQZ-së.

“Ky është një komision ku ka diktuar haptazi shumica politike vendimmarrëse dhe arbitrariteti dhe paaftësia e administrimit të këtij procesi nga kjo shumicë dhe kryetari i saj zoti Ristani. Mund të ketë defekte të ligjit, por kjo nuk është më shumë rrjedhojë e defekteve të ligjit të Kodit Zgjedhor, por është rrjedhojë e faktit të qasjes negativiste që kjo maxhorancë ka ndaj procesit zgjedhor. Pra, përpjekjes për të pasur një mundësi kontrolli arbitrarë të dhunshëm jo ligjorë”- tha ndër të tjera Fatmir Xhafaj.

Partia Socialiste, ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dy ankimet lidhur me numërimin e votave në qarkun e Fierit ku nuk janë përfshirë dy kutitë e pa numëruara të KZAZ-së 20, si dhe për qarkun e Beratit ku mbi 2000 fletë votimi rezultuan të pavlefshme. PS-ja deklarohet e vendosur për të ndërmarrë çdo veprim ligjor nëse asaj nuk i jepen mandatet që shqiptarët kanë përcaktuar me votën e tyre të djelën e 28 qershorit, e ku shkaktari i bllokimit sipas PS-së është shumica politike vendimmarrëse në KQZ.

(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›