Xhaferaj: Bashkia nuk do të merr asnjë vendim, pa u konsultuar më parë me biznesin

Kandidati demokrat Ferdinand Xhaferaj në takim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Durrës
Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” për kreun e Bashkisë së Durrësit, Ferdinand Xhaferaj ishte pjesë e një takimi të organizuar me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit si edhe me biznesmenë të qytetit. Në këtë takim u theksua domosdoshmëria e vendosjes së disa principeve, mbi të cilat të ngrihej marrëdhënia
institucionale mes komunitetit të biznesit dhe bashkisë. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Andrea Xhavara, tha se perspektiva e zotit Xhaferaj, për ta bërë Durrësin si shumë qytete të zhvilluara evropiane, duhet të niste nga evropianizimi I marrëdhënies së bashkisë me biznesin. Lidhur me këtë, Xhavara, në emër të institucionit që ai drejton sugjeroi, si udhërrëfyes “Kartën Evropiane të Biznesit të Vogël”. Ndryshimet thelbësore në hartimin e paketës fiskale (duhet të paguajnë më shumë për një shërbim, ata që përfitojnë më shumë prej tij), mbështetja financiare nga buxheti i projekteve që promovojnë sipërmarrjen rinore dhe femërore, garancia maksimale për realizimin e investimeve me kosto optimale dhe pa korrupsion, ishin disa nga sugjerimet në bazë edhe të Kartës Evropiane të Biznesit të Vogël, për të cilat Xhavara tha se ia kishin paraqitur edhe katër vite më parë bashkisë së qytetit, por nuk janë marrë në konsideratë.
Kurse mbështetja maksimale ndaj krijimit dhe zhvillimit të burimeve ekonomike primare
si Parku industrial, Porti i Peshkimit, bizneset eksportuese, Kantieri detar, perspektiva e
zhvillimit ekonomik në Durrësin Verior, sipas parimit të zhvillimit të qëndrueshëm, etj,
ishin disa nga pikat që kryetari i Dhomës së Tregtisë i konsideroi si kryesore në zhvillimin ekonomik në tërësi. Nga ana e tij, kandidati Xhaferaj vlerësoi se zhvillimi i qytetit nuk mund të shihej si i shkëputur nga marrëdhënia bashki-biznes, duke e konsideruar këtë si marrëdhënie të ngushtë e reciproke. “Bashkia nuk mund të shihet e shkëputur nga ju, pasi ju jeni 70% e bashkisë, pra jeni vetë produkti që e bën Bashkinë e qytetit. Kështu që marrëdhënia me ju është thelbësore”- tha Xhaferaj.
Duke u ndalur në një prej problemeve më të cilat përballet biznesi në Durrës,taksat,
Xhaferaj tha se në programin e tij, parashikonte që niveli i taksave në fund të katër viteve
të reduktohej deri në masën 50%. Megjithatë, sipas Xhaferajt, ulja e taksave nuk është
garancia e vetme e suksesit, pasi edhe xhiroja vjetore ishte një ndër elementët, për të cilin
duhet të krijoheshin kushtet e përshtatshme për rritje. Sa i përket shqetësimit të bizneseve
për taksat që paguajnë e për të cilat nuk marrin shërbimin për të cilin taksohen, Xhaferaj
premtoi se abuzimit me taksat do t’i vij fundi. “Çdo biznes do të paguajë për shërbimin që i ofrohet, asnjë taksë nuk do të paguhet në mungesë të këtij shërbimi dhe taksimi do të bëhet në bazë të xhiros vjetore që biznesi realizon”- tha Xhaferaj.
Gjithashtu kandidati Ferdinand Xhaferaj garantoi përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë
dhe Industrisë dhe komunitetin e biznesit në Durrës, që asnjë vendim që do të ndikonte
drejtpërdrejtë më ecurinë dhe aktivitetin e biznesit, nuk do të merrej nga bashkia pa u
konsultuar më parë me këtë grup interesi, duke e quajtur këtë si kushtin primar për të
vendosur një marrëdhënie të drejtë dhe produktive mes të dyja palëve.