E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha Bashkia ndermjetese per punesimin

Punësimi i të rinjve është një nga prioritetet e kandidatit për kryetar bashkie të Tiranës zotit Lulëzim Basha. Gjatë një takimi me studentë të Fakultetit Ekonomik, Basha tha se ka një projekt gati për punësim, ku  bashkia do të shërbejë si një ndërmjetëse mes studentëve e biznesit.

“Bashkia do të ketë një rrejt informacioni online i cili do të ndërlidhë kërkesën në tregun e punës të azhornuar në mënyrën më të plotë të mundshme jo më vonë se fundi i këtij viti. Një i punësuar, 10 të punësuar, 100 të punësuar në Tiranë janë viktimat e përditshme, të përnatshme, të përmuajshme të kryetarit të bashkisë. Unë kam një plan konkret për tu marrë me këtë çështje. Duke i hequr pengesat aktuale fiskale, administrative dhe infrastrukturore me një përllogaritje minimale modeste ne do të çlirojmë biznesin e vogël dhe biznesit në tërësi në Tiranë para të mjaftueshme për të hapur minimalisht 4 mijë vende të reja pune” tha Basha.

Projekte  të tjera për studentët do të jenë edhe karta e studentit e cila do të fillojë të aplikohet në shtator të këtij viti, ndërtimi i kampsuseve universitare si dhe për bursat për studentët ekselentë.

Më herët gjatë takimeve të tij elektorale, Lulëzim Basha ishte në Kombinat. Gjatë një inspektimi për infrastrukturën e kësaj zone, zoti Basha ka premtuar  angazhim edhe për personat me aftësi të kufizuar të cilët ndeshin vështirësi në rrugët e Tiranës.

“Do kemi një politikë të veçantë për personat me aftësi të kufizuar që të ndjehen sa më të integruar, politikë që do të reflektohet edhe në investime. Do të bëhen trotuare, do të bëhen rrugët, objektet publike. Do të investohet edhe në ndihmë financiare, veçanërisht për personat me aftësi të kufizuar që janë edhe pensionistë. Qendra sociale do të hapen në çdo minibashki” tha Basha.

Kandidati Lulëzim Basha ka zhvilluar një takim edhe me biznesin fason. Ai është njohur nga afër me problemet  e tyre si takstat e larta, ndërkohë që ju ka siguruar atyre politika fiskale në favor të tyre. Basha është takur dhe me një grup mjekësh ku është njohur me një sërë problemesh, si ato të mungesës së kushteve higjeno- sanitare, por edhe vështirësitë që hasin ambulancat për shkak të mungesës së rrugëve. Kandidati Basha ka bërë të ditur se në shtator do të nisin diskutimet me ekspertët për ndërtimin e një spitali rajonal.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›