Xhaferraj: Shqipëria, e përkushtuar për turizëm të integruar me trashëgiminë

Stamboll, 18 Janar NOA - Stambolli është
shpallur këtë fundjavë kryeqytet i kulturës europiane për vitin 2010. Për të
marrë pjesë në këtë ceremoni krahas 28 delegacioneve të tjera qeveritare nga
vende të ndryshme të botës, me ftesë të qeverisë turke, mori pjesë dhe një
delegacion i vendit tonë, kryesuar nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë
dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj.
Pjesëmarrja e delegacionit shqiptar në veprimtaritë
e zhvilluara në Pallatin e Kongreseve të qytetit metropol 15 milionësh,
Stamboll është përshëndetur nga pala pritëse.
Ministri i Turizmit dhe Kulturës i Turqisë,
Ertugrul Gunay, priti në një takim të veçantë e të ngrohtë e miqësore ministrin
shqiptar të MTKRS, Ferdinand Xhaferaj, dhe e falenderoi atë jo vetëm për pjesëmarrjen,
por edhe për mirëkuptimin politik midis dy qeverive për zhvillimin e
vazhdueshëm të marrëdhënieve shqiptaro-turke në fushën e Turizmit e të
Kulturës.
Ministri Xhaferraj i tha homologut të tij turk
se Shqipëria është e përkushtuar që të zhvillojë një turizëm të integruar me
trashëgiminë kulturore.
Ndërkohë bëri me dije se Shqipëria është e
gatshme të bëjë një kapërcim cilësor në këtë fushë, pasi këtë e lejon tashmë
infrastruktura e ngritur si dhe zhvillimi harmonik i vendit në të gjitha
fushat.
Duke shprehur kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen
e delegacionit shqiptar në këtë ceremoni, ministri Gunay e siguroi ministrin
shqiptar, Xhaferaj, se do të angazhohet për ngritjen në një shkallë më të lartë
të marrëdhënieve kulturore e në fushën e turizmit me Shqipërinë. Ftesës së
ministrit Xhaferraj për të vizituar Shqipërinë, ai iu përgjigj pozitivisht,
duke premtuar investime në programet e përbashkëta në këto dy fusha.
Të dy vendet mund të shfrytëzojnë me
efektivitet trashëgiminë kulturore historike midis tyre, për të paraqitur
reciprokisht në Shqipëri dhe në Turqi vlerat kulturore të krijuara. Në vizitën
e ardhshme të ministrit turk, Gunay, në Shqipëri do të konkretizohen
marrëdhëniet dypalëshe përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje dypalëshe.
e.r/NOA