E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaferri-Klosi debatojnë për listat: Ja pse krerët përjashtuan kundërshtarët

Listat e kandidatëve për deputet kanë krijuar debat të ashpër politik, menjëherë pas zyrtarizmit të emrave nga krerët e dy partive më të mëdha në vend. Në këto lista shihet qartë spastrimi i kundërshtarëve të mundshëm, ashtu sikurse bien në sy nga ana tjetër edhe njerëzit e bindur të dy kryetarëve të partive. Nisur nga kjo gjë është mëse e sigurt se më shumë se gjysma e deputetëve aktual të dy krahëve politike, nuk do të ulen më në karriget e deputetit pas zgjedhjeve të qershorit. Të përjashtuarit nga PD kanë qenë përkrahësit e Topit, nga ana tjetër ata që kanë dal në mbështetje të ish-liderit Nano nuk janë më pjesë e listave për deputet të PS. Pikërisht futja e emrave të rinj dhe përjashtimi i emrave të vjetër nga këto lista, ka qenë pjesë e debatit televiziv midis përfaqësuesit të PD-së, Ferdinand Xhaferrit dhe përfaqësuesit të PS-së, Blendi Klosi, të cilët gjithashtu do të jenë përballë njëri- tjetrit edhe ditën e zgjedhjeve, do të garojnë në qarkun e Durrësit. Gjithashtu, pjesë e këtij debati kanë qenë edhe Damian Gjiknuri si dhe Oert Bylykbashi. Një debat tepër i ashpër, ashtu sikurse edhe mund të pritet në prag të fushatës elektorale, mes dy kundërshtarëve politikë, të cilët mbrojnë nga njëra anë idetë dhe përfaqësimin e forcës së tyre politike dhe nga ana tjetër akuzojnë kundërshtarin. Në lidhje me informimin e tyre për listën e kandidatëve, Xhaferri ka pohuar se për një fakt të tillë kandidatët për deputetë të krahut të djathtë kanë qenë vazhdimisht në dijeni dhe se propozimet e emrave kanë ardhur nga baza. Ndërsa në selinë rozë, bie në sy një tjetë fakt, PS ka zhvilluar takime në të gjithë bazën për të marrë mendimin për kandidaturat, edhe pse e përbashkëta sipas kodit zgjedhor, qëndron tek fakti se këto emra janë firmosur nga kryetarët e partive. Por, pavarësisht votimit nga të gjithë deputetët aktual të kodit të ri zgjedhor për firmosjen e listave nga kryetarët e partive, emra të cilët janë lënë jashtë kësaj liste kanë kritikuar një fakt të tillë duke e cilësuar atë monopolizim të kryetarëve të partive. Përplasja në debatin televiziv mes përfaqësuesit të PD-së Ferdinand Xhaferri dhe përfaqësuesit të PS-së, Blendi Klosi ka pasur edhe në lidhje me defektet që paraqiten tek listat e çdo partive. Në këtë drejtim, përfaqësuesi i PD-së, Xhaferri pothuajse gjatë gjithë debatit është përqendruar tek mungesa e kryetarit Rama duke e lidhur këtë mungesë me frikën që ka mbërthyer kryesocialistin, i cili sipas tij qëndron fshehur pas karriges së bashkisë së Tiranës. Sipas tij, Vasilika Hysi është një militante e fshehur. Ndërsa nga ana e tij, Klosi duke mbrojtur listat e PS-së, ka kritikuar ashpër vizionin e përfshirë në listat e kundërshtarit, duke e cilësuar atë listë të flaktë të PD-së, e kryesuar nga Berisha si dhe e përshkruan atë si një listë të mbyllur që nuk hap diskutime, duke shfaqur si kundërshtim listën e PS-së që sipas tij hap debate, dhe kjo është risia që sjell opozita. Por pjesë e këtij debati ka qenë edhe Gjiknuri, i cili duke përfaqësuar PS-në, ka kritikuar listën e mazhorancës së djathtë duke u ndaluar fillimisht tek ana pamore e kësaj liste, që sipas tij ishte e shkruar me shkrim dore nga Berisha dhe një ndihmës i tij, dhe mënyra si është reflektuar tregon se asnjë njeri nuk e ka ditur dhe asnjë forum nuk është konsultuar. Ndër të tjera, sipas Gjiknurit mënyra sesi është paraqitur, mënyra sesi u bë ajo listë, reflekton kompozimin e interesave të dyshes Topalli- Berisha. Ndërsa nga ana e tij, Oerd Bylykbashi, ekspert për çështjet elektorale në PD, duke mbrojtur fort listën e PD-së, ka theksuar se kjo forcë politike sjell rinovimin, duke përmendur këtu edhe faktin e të larguarve, që sipas tij edhe pse nuk do të jenë më në radhët e PD-së, nga ana tjetër do të jenë drejtues të administratës në një mandat të dytë të PD-së. Ky kombinim sipas tij është bërë për të ecur përpara, duke e parë si të nevojshme kombinimin mes prurjeve të reja me ato ekzistuese. Duke kritikuar listën e opozitës, ai ka theksuar se modeli që paraqet Rama, është republikë bashkiake, duke e cilësuar atë një gjeneral të fshehur në bunkierët e bashkisë që ka nxjerrë në betejë të vetme ushrinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›