Xhaferri: Masa për dhunën, të dënohen edhe deputetët
TIRANE- Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferri dënoi aktet e dhunës në ndeshjet Flamurtari-Kastrioti dhe Gramozi-Vllaznia, duke ngritur madje një padi penale ndaj ndihmës trajnerit të Gramozit që goditi arbitrin anësor. Pas një takimi me kreun e Federatës Armand Duka, Xhaferri ka kërkuar nga ky institucion marrjen e masave të ashpra dhe përjashtimin nga stadiumet edhe për deputetët apo kryetarët e bashkive që futen cdo javë në stadium. “Kam patur një takim me presidentin e FSHF-së, të cilit i kam kërkuar dhënien e një përgjigje të fortë për këto akte barbare, - tha Xhaferri. – Përsa i përket ndeshjes Flamurtari-Kastrioti, dua të them se Federata ka Komisionin e saj të Disiplinës, i cili do të ketë mbështetjen tonë maksimale për të dënuar të gjithë fajtorët, duke nisur nga arbitrat. Po kështu, për ndeshjen Gramozi-Vllaznia, me cilësinë e ministrit të sporteve kam ngritur një padi penale ndaj shtetasit Petrit Hotaj, me akuzën goditje për shkak të detyrës, që dënohet deri në tre vjet burg. Ky njeri ka goditur barbarisht një gjyqtar futbolli, duke kryer një akt të patolerueshëm”, shtoi ministri i sporteve. Një tjetër shqetësim dhe që çdo javë gjeneron dhunë në stadiumet shqiptare, është futja në fushë e njerëzve me imunitet dhe politikanëve. “Më është shprehur shqetësimi për këtë nga presidenti i Federatës dhe unë i kam kërkuar këtij institucioni që nëpërmjet Komisionit të Disiplinës, të dënojë me masa tepër të forta, duke i përjashtuar deri në 3 vjet këta zyrtarë që fshihen pas petkut të imunitetit”, deklaroi i revoltuar ministri Xhaferri.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)