E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaferri: Ne do të zgjidhim problemet që na la trashëgim Dako

03/05/2011  Fushata në Durrës

Kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferri, tha dje se brenda këtij viti do të nisë zbatimi i një projekti të madh për mbylljen dhe gjelbërimin e zonës ku aktualisht hidhen mbetjet urbane të Durrësit. “Nuk mund të bashkëjetojë Durrësi turistik me këtë panoramë që ofron ky vend ku mbetjet hidhen e digjen si në mesjetë. Ne do ta zgjidhim këtë problem që na la trashëgim Dako”, - tha Xhaferri. Kandidati demokrat ishte pikërisht në Porto-Romano, ku pamja që ofron zona atje së bashku me rrezikun përkundrejt shëndetit të njerëzve dhe mjedisit nuk është aspak e përshtatshme për një qytet që e konsideron turizmin si një ndër asetet e veta më të rëndësishme. Nisur nga të gjitha këto imperativa, kandidati demokrat Xhaferri e konsideroi prioritare zbatimin e një projekti për ta mbyllur vendin ku hidhen mbetjet urbane në Porto-Romano, për ta izoluar atë dhe për ta gjelbëruar. “Ky është një projekt prioritar për ne. Puna do të nisë që në 6-mujorin e dytë të këtij viti. Ne do ta zgjidhim këtë problem që na la trashim Dako”, - deklaroi dje Ferdinand Xhaferri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›