E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidati demokrat; Vota e qytetarit instrumenti i zgjedhjes

03/05/2011  Iniciativa për Tiranën, shpalosen pikat kyçe të platformës “Basha”

Shpalosja e ideve konkrete mbi të cilën do të përqendrohet puna e Bashkisë së Tiranës në katër vitet e ardhshme ishte fokusi kryesor gjatë takimit të djeshëm në forumin “Iniciativa për Tiranën”. Kështu, në një bisedë të hapur me intelektualë, artistë, pedagogë e gazetarë kandidati për kryetar i Bashkisë së Tiranës, përfaqësues i mazhorancës në zgjedhjet vendore të 8 majit, Lulzim Basha, diskutoi dhe trajtoi në takim disa nga problematikat që kanë shoqëruar qeverisjen lokale për vite me radhë. Sipas tij, alternativa e “Aleancës për Qytetarin” ka në qendër qytetarin, pasi edhe momenti në të cilin ndodhet vendi është një rëndësi historike, duke vendosur votën e qytetarit si instrumentin e zgjedhjes. “Ditë për ditë dhe muaj për muaj po i largohemi shtëpisë së përbashkët që quhet Tiranë, duke u bërë përditë spektator të teatrit ku është lënë jashtë vëmendjes qytetari. Iniciativa për Tiranën na ka mbledhur të gjithë bashkë dhe sot, pasioni bëri atë që quhet broshurë, por që në fakt është kopja e parë e kodikëve e krijuar nga qytetarët, që thërret për angazhim të vërtetë qytetarin në çdo nivel, pasi bashkia është në shërbim dhe në funksion të qytetarëve”, - vuri në dukje Basha. Ndërkaq, duke u përqendruar në pika konkrete, kandidati i mazhorancës në garën për kryesimin e Bashkisë së Tiranës garantoi se “ajo që do t’i shtohet çdo pallati është hapësira e gjelbër që i mungon, ku sipas tij në vend që të ndërtohet një park i gjelbër, ndërtohet një parking apo një lokal, duke marrë hapësirat që i takojnë qytetarit”. Po kështu, sipas tij, respektimi i pronës private krahas hapësirës së gjelbër ishte një pikë tjetër në të cilën mbështeti platforma e tij për mënyrën e qeverisjes së kryeqytetit. “Oferta ime për Tiranën është respekt total për pronën private dhe fitimi i hapësirave publike. Do të fillojë puna në qelizë, në lagjet e Tiranës. Në një lagje të vjetër nuk do të ngulim një pallat 15-katësh, por duke vlerësuar një pronë ne do t’i lëmë vend zhvillimit. Kemi nevojë për rrugë, gjelbërim shkolla e kopshte. Në çdo lagje do tëketë kënde të gjelbra. 50% e sipërfaqeve do të jenë të gjelbra, qytetit i është gllabëruar zhvillimi. Jam shprehur qartë që të mos betonohet zona e Liqenit, ka një sërë formash që njeh urbanistika moderne kundër betonimit. Pikërisht këtë synojmë: të rikthejmë cilësinë europiane të jetesës”, - vuri në dukje Basha gjatë bisedës me intelektualë të kryeqytetit.

Kandidati demokrat Lulzim Basha gjatë bisedës me intelektualë të kryeqytetit sqaroi dhe lidhur me debatin e lindur gjatë fushatës elektorale, e konkretisht për mbulimin e saj me anë të kasetave. “Praktikën e kasetave nuk solla unë, por e gjeta mes jush. Është një praktikë që është bërë pjesë e kulturës politike jo vetëm në rast zgjedhjes. Unë kundër kësaj ngrihem, kundër automatizmit të medies. Ky është një problem i madh, që nuk mund ta bëjë pjesë të fushatës sime, por bashkë me të gjithë ju mund të ndryshojmë diçka. Mendoj se filtrimi i informacionit dhe përpjekja për të transformuar informacionin do të jetë një forcë për medien për të thyer vargonjtë që thonë se janë rreth medies”, - u shpreh Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›