E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në 8 maj t’i themi ‘jo’ modelit të Berishës”

03/05/2011  Kreu socialist takime derë më derë me banorë të komunës së Kasharit

Rama: Ky është Kandahari i Saliut, ku njerëzit marrin shtëpi në mes të asgjëkundit

“Ja ku është kufiri, këtej është Tirana që qeverisim dhe administrojmë ne. Këtu fillon Kandahari i Saliut, ku njerëzit marrin shtëpi në mes të asgjëkundit me këto farë rrugësh”, - kështu do ta përkufizonte dje kryebashkiaku Edi Rama vijën ndarëse të modeleve qeverisëse në zonat e komunës së Kasharit dhe në ato të Bashkisë së Tiranës. Në këtë mënyrë, në vijim të takimeve elektorale Rama u ndal dje në komunën e Kasharit, në atë pjesë të kësaj komune ku votat jepen për Bashkinë e Kryeqytetit, por administrativisht banorët e saj paguajnë taksa dhe marrin shërbime nga komuna. Për këtë arsye kreu socialist, njëherësh kandidat i PS-së për një mandat të katërt në drejtimin e qeverisjes vendore të kryeqytetit, kërkoi nga banorët e kësaj komune që të votojnë kundër Saliut dhe modelit të tij më 8 maj, duke dhënë votën pro modelit të Tiranës europiane. “Është absolutisht e rëndësishme që të ndahemi nga ky model. Më 8 maj t’i jepni fund kësaj historie, sepse votoni për Bashkinë e Tiranës, ju mbajnë këtu pengje të komunës së Kasharit. Komuna vetëm ndërton sup më sup si male pallatet”, - vuri në dukje Rama gjatë takimeve me këto banorë. Sipas tij, është aventurë të ecësh në këto rrugë ngjitur me Tiranën ku qeverisin socialistët. “Me taksat e ndërtimit të pallateve mund të ishte transformuar e gjithë infrastruktura, po një Zot e di se ku shkojnë ato para. Ndërkohë që ky është modeli i zhvillimit që u ofrojnë qytetarëve ata që sot në koalicionin e turpit ju thonë ‘ju jeni të parët’ dhe paturpësisht ju kërkojnë votën”, - vlerësoi Rama. Madje, duke shkuar më tej në kundërvënien e tij ndaj modelit të qeverisjes së djathtë, kreu socialist u shpreh: “Ja ku jemi këtu, votojnë për Bashkinë e Tiranës, janë lënë matanë kufirit administrativ të Tiranës dhe i administron komuna e Kasharit. Domethënë janë nën thundrën e modelit të Saliut. Ky është një model që nuk ka lidhje me asnjë lloj kriteri, sensi, parimi e vlere të zhvillimit të qëndrueshëm të një vendi të civilizuar në mes të Europës.” Ndaj dhe një herë tjetër kryetari i PS-së apeloi se “ky model duhet kundërshtuar me forcë dhe i duhet hapur rrugë me forcën e pasionit politik një modeli zhvillimi që qytetarët e kanë në Tiranë dhe në të gjitha qytetet që ne qeverisim”.

Në këto takime derë me derë kreu aktual i Bashkisë, Rama, kërkoi votën për koalicionin “Aleanca për të Ardhmen” si dhe për kandidatin e saj për njësinë nr. 6 Krenar Cenollari.

Apeli

“Të gjithë drejt kutive të votimit më 8 maj. Në një demonstrim popullor të vullnetit sovran për t’i thënë ‘kurrë më’ Saliut dhe për të marrë hakun që ju takon dhe ju është ngrënë e hahet përditë qysh se Saliu udhëheq bashkinë e Vorës. Mos lejoni më kurrë që bashkia të mbyll sytë përpara zullumesh të atilla si ai i Gërdecit e as përpara zullumeve që e pasuan Gërdecin.”

Premtimi

“7 projekte të mëdha të Tiranës europiane dhe me vazhdimin e punës së nisur krijojmë mundësi për 200 mijë vende pune. E dimë ekzaktësisht se ku janë këto 200 mijë vende pune dhe si mund të realizohen ato. Duke larguar Saliun, Shqipëria do të kthehet në punë dhe do përgjysmojmë shifrën për 1 milion të papunësh në harkun e një mandati e gjysmë qeveri.”

Kërkesa

“Është absolutisht e rëndësishme që të ndahemi nga ky model. Më 8 maj t’i jepni fund kësaj historie, sepse votoni për Bashkinë e Tiranës, ju mbajnë këtu pengje të komunës së Kasharit. Komuna vetëm ndërton sup më sup si male pallatet. Me taksat e ndërtimit të pallateve mund të ishte transformuar e gjithë infrastruktura, po një Zot e di ku shkojnë ato para.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›