E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaferri: Sheshi "Skënderbej" është Monument Kulture

TIRANë- Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, eshte shprehur sot se "proçedura e ndjekur nga Bashkia e Tiranës për sheshin "Skënderbej" është në kundërshtim të hapur me ligjin".
Në një konferencë për shtyp Xhaferri tha se “kur z.Edi Rama ka qënë ministër i Kulturës, ateherë ai ka propozuar një VKM, që e shpall aksin kryesor të kryeqytetit, që fillon nga Sheshi “Nënë Tereza” dhe përfundon të stacioni i Trenit, asambël monument kulture".
"Përveç kësaj VKM-je, kemi dhe ligjin "Për trashëgiminë kulturore", qe lidhin në mënyrë institucionale Bashkinë e Tiranës dhe MTKRS, sa herë që duhet bëhen ndërhyrje në zonat e shpallura monumenet kulture", tha ai.
Sipas tij, “nisur nga kjo, Edi Rama në prill të 2008 i ka kërkuar Institutit të Monumenteve të Kulturës që të miratojë projekt-idenë e tij për rehabilitimin e Sheshit "Skënderbej" dhe kjo kërkesë ka ardhur në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, i mbledhur pranë MTKRS , i cili vendosi kufizime dhe ndryshime për ndërhyrjet që duhen bërë në kete shesh".
“Këshilli vendosi që pendenca e sheshit të propozuar (pjerrësia) të mos kalojë 1% si dhe të mos lejohet ndërtimi i 2 ndërtesave në aksin e Bulevardit Zogu i Parë dhe midis Muzeut Historik Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë”, u shpreh ministri Xhaferri.
Në këtë drejtim, shtoi ai, “bazuar në ligjin në fuqi, pra në VKM-në që vet z.Rama ka propozuar 10 vjet më parë, por edhe në bazë të ligjit "Për trashgëmininë kulturore", çdo vendim që merret nga pushteti lokal, Këshillat e Rregullimit të Territorit për zonat që janë monumente kulture, nëqoftëse nuk miratohen në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, janë të pavlefshëm”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›