E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosi ish të dashurën dhe nënën e saj, kapet

Berat Besmir Bakiu u arrestua në fshatin Tozhan, ku mendonte të strehohej

Policia e Beratit ka mundur të prangosë dje 22-vjeçarin Besmir Bakiu, i cili qëlloi me armë zjarri ndaj ish-të dashurës së tij dhe nënës së saj, duke i plagosur rëndë. Bakiu u prangos mesditën e djeshme në fshatin Tozhan të rrethit të Beratit. Uniformat blu të këtij komisariati, bashkëpunim ato të Skraparit arritën të ndalojnë 22-vjeçarin, duke udhëtuar në këmbë drejt fshatit Tozhan të komunës Tërpan. I riu mësohet se kishte udhëtuar në këmbë për gjatë gjithë pasdites dhe natës së të enjtes, duke mbërritur në afërsi të fshatit të largët Tozhan që ndodhet në kufi me Përmetin. Nga informacionet e siguruara në rrugë operative është mësuar se Bakiu ishte nisur për te të afërmit e tij në fshatin Tozhan. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm është organizuar puna dhe uniformat blu udhëtuan drejt fshatit Tozhan që ndodhet rreth 36 kilometra larg Beratit. Autori mësohet se nuk ka bërë rezistencë në momentin e ndalimit kjo dhe për shkak të lodhjes dhe mungesës së ngrënies. Ai është shoqëruar menjëherë në dhomat e izolimit të Komisariatit të Beratit në pritje për t’u marrë në pyetje rreth ngjarjes së rëndë. Në momentin e ndalimit mësohet se 22-vjeçarit i është bllokuar dhe arma e zjarrit automatike model 56 me të cilën kreu krimin. Paraditen e së enjtes i riu qëlloi me armë zjarri në drejtim të 18-vjeçares Glida Sevdari dhe nënës së saj, Liri Sevdari, të cilat ndodhen në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje të rëndë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›