E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaka duhet të përmirësohet

Trajneri i Borussia Monchengladbachut, Lucien Favre, nuk e ka pritur aspak mirë pakënaqësinë që e shfaqi një ditë më parë Granit Xhaka, i cili u shpreh i zhgënjyer që ka përfunduar në bankinë dhe se mund ta konsiderojë largimin në rast se ekipi i tij i ri nuk llogarit në të.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i trajnerit gjerman, i cili kërkon nga 20 vjeçari që të punojë pa e hapur shumë gojën. “Xhakës i nevojitet kohë. Ai është i ri dhe duhet të përmirësohet për të luajtur”, u shpreh Favre për mediat gjermane.

Ish futbollisti i Baselit ishte kritikuar vazhdimisht nga mediat gjermane, pas ankesave të vazhdueshme të tij që kur u transferua gjatë verës në Bundesligë. Tash prishtinasi frikësohet se përpos në Gladbach, mund ta humb vendin edhe në përfaqësuesen zvicerane.

“Selektori Hitzfeld e ka bërë të qartë se do t’i marrë në konsideratë për ekipin bazë vetëm futbollistët që luajnë standard në ekipet e tyre. Unë nuk dua ta humbas vendin tim te përfaqësuesja”, ka thënë Xhaka.

Përfaqësuesi zviceran, që i kushtoi ekipit gjerman afro 10 milionë euro, ka përfunduar në bankinë tek Gladbachu, edhe pse në fillim konsiderohej si përforcimi më i madh i klubit pas largimit të Marco Reusit. Pas kësaj pakënaqësie, kosovari nga janari mund t’i bashkohet Lazios e cila ka shprehur interesim për të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›