Sfida e të ‘fundosurve’

Në këtë mesjavë do të zhvillohet xhiroja e katërmbëdhjetë e Superligës së Kosovës në futboll, e cila do t’i sjellë disa përballje mjaft interesante. Takim i tillë interesant pritet të zhvillohet të mërkurën në Vushtrri, ku do të takohen dy skuadrat që po kalojnë nëpër krizë të rezultateve, Llamkos Kosova e Drenica.
Të dyja këto ekipe aktualisht gjenden në dy pozitat e fundit të renditjes tabelore me nga 11 pikë. Arritja e fitoreve është bërë shumë e vështirë për këto dy skuadra, andaj ato do të ishin shumë të kënaqura nëse ia dalin të shpëtojnë pa rënë nga Superliga.
Vushtrriasit deri më tash i kanë shënuar vetëm dy fitore krahas pesë barazimeve e gjashtë humbjeve. Andaj, Llamkos Kosova synon që të mërkurën ta regjistrojë fitoren e tretë dhe ta lë pas vetës ekipin kuq e zi.
“Sikurse ne, ashtu edhe Drenica ka ekip të mirë, por po i mungojnë rezultatet. Në këtë takim do të hyjmë pa Dragushën e Ibrahimin. Në dy ndeshjet e fundit fituam katër pikë, andaj konsideroj se po luajmë mirë. Ne në çdo takim hyjmë për fitore dhe të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe ndaj Drenicës, meqenëse vetëm me fitore mund t’i ikim fundit”, tha trajneri i bardhekaltërve, Luan Prekazi.
Por, Drenicës nuk i intereson pozicioni i vushtrriasve, sepse vetë ajo është në pozitë të vështirë, ngase deri më tani e ka regjistruar vetëm një fitore krahas tetë barazimeve e katër humbjeve. Andaj, kuqezinjtë në Vushtrri do ta kërkojnë pikë.
“Të dyja palët jemi në pozita të vështira me pikë të barabarta. Na pret udhëtim i vështirë e po ashtu kemi mungesa, andaj do të ishim të kënaqur edhe me një barazim eventual, ndonëse do të tentojmë edhe të fitojmë nëse na jepet rasti”, thotë trajneri i kuqezinjve, Tahir Lushtaku.
Të mërkurën zhvillohen edhe katër takime tjera, derisa lideri aktual i Superligës, Trepça ’89 të enjten do të udhëtojë drejt Prishtinës për t’u ballafaquar me Hajvalinë.
Superliga – Xhiroja e 14-të
E mërkurë
Ll. Kosova – Drenica
Trepça – Vëllaznimi
Ferronikeli – Drita
Hysi – Besa
Prishtina – Liria
E enjte
Hajvalia – Trepça ‘89
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 13:00