Disiplina dënon Besën, pesë muaj larg Kavajës
KS Besa do të duhet të mendojë nga java tjetër për një stadium ku të akomodohet, pasi vendimi i dhënë dje nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit e largon këtë skuadër nga Kavaja për më shumë se 5 muaj. Kavajasit janë dënuar dje për ndërprerje të ndeshjes me Skënderbeun me gjashtë javë në fushë asnjanëse. Me pak llogari, nëse zbatohet i tërë ky vendim, duke marrë parasysh kalendarin, atëherë ndeshjet Besa-Vllaznia, Besa-Bylis, Besa-Laçi, Besa-Shkumbini, Besa-Tirana dhe Besa-Luftëtari do të luhen në fusha asnjanëse. Kështu, kavajasit do të kthehen sërish para publikut të tyre vetëm 6 javë para fundit të sezonit, në ndeshjen e 6 prillit 2013 ndaj Kastriotit (gjithnjë nëse sot Besa nuk kualifikohet as në Kupën e Shqipërisë, pasi nëse vazhdon aventurën, atëherë për bazë do të merren edhe ndeshjet që normalisht kavajasit do të duhet t’i luanin në fushën e tyre për këtë kompeticion). Ndërkohë ajo që bën përshtypje në vendimin e marrë nga Disiplina nuk është numri “6″ i pezullimit të fushës, por fakti se për të njëjtat incidente merren dy vendime të ndryshme. Faktikisht edhe në ndeshjen e javës së tetë Skënderbeu-Tirana pati ekzaktësisht të njëjtat probleme me tifozët, të cilat sollën tërheqjen e vëmendjes së arbitrit karshi kapitenit Shkëmbi. Por, ama, Skënderbeu u dënua vetëm një javë. Kjo, natyrisht, e bazuar në nene të Kodit të Drejtësisë Sportive. Nuk kuptohet se përse delegati i ndeshjes Besa-Skënderbeu, Millan Baçi dhe vëzhguesi Plarent Kotherja kanë përpiluar në procesverbal faktin se ndeshja është ndërprerë nga tifozët dhe jo natyrshëm nga arbitri Laver Alla. Sakaq, duket po aq i pakuptueshëm fakti se përse anëtarët e Komisionit të Disiplinës, Ardian Haçi, Arben Shkëmbi dhe Ilir Lame, për incidentet e krijuara nga tifozët dënojnë klubin, kjo duke qenë se nga ana e lojtarëve dhe e zyrtarëve të klubit kavajas nuk pati asnjë veprim antisportiv. Më normalja do të ishte dënimi i KS Besa me zhvillim të ndeshjeve pa spektatorë. Komisioni i Disiplinës ka edhe një tjetër precedent negativ këtë sezon, ku një sërë klubesh iu kundërvunë për shkak të një vendimi absurd. Kështu, Disiplina “fali” në një farë mënyre lojtarin e Skënderbeut, Renato Arapi, edhe pse ky i fundit në sfidën e zhvilluar mes Bylisit dhe Skënderbeut ofendoi gjyqtarin Remzi Sadiku dhe më pas e pështyu atë. U desh ndërhyrja e disa presidentëve të Superiores, me iniciativën e kreut të Teutës, Edmond Hasanbelliu, që pak ditë më vonë, Disiplina të bënte prapaktheu dhe të dënonte mbrojtësin e korçarëve për gjestin e tij antisportiv. Ndërkohë, Disiplina ka dënuar edhe trajnerin e Besës, Ilir Daja, me gjobë 100 mijë lekë e pezullim me 2 ndeshje.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës
1. KF Besa, për hedhje të sendeve të forta në fushë, duke shkaktuar ndërprerje përfundimtare të lojës si dhe sjellje ofenduese të spektatorëve, dënohet me ndalimin e zhvillimit të 6 ndeshjeve në stadiumin e vet, bazuar në nenin 66.3/c të KDS-së.
2. Trajneri i KF Besa, Ilir Daja, për protesta me fjalë ofenduese ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me gjobë 100 mijë lekë dhe pezullohet për 2 ndeshje nga aktivitetet.
3. Lojtari i KF Shkumbini, Roland Dervishi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit dënohet me 2 ndeshje pezullim.
4. Lojtari i KF Tirana, Julian Ahmataj, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit dënohet me 2 ndeshje pezullim.
5. Zyrtari i KF Gramshi, Dritan Bici, për sjellje të keqe ndaj zyrtarëve të ndeshjes dënohet deri në fund të sezonit futbollistik 2012-2013 që të mos hyjë në ambientet sportive të futbollit, si dhe gjobitet me 250 mijë lekë gjobë.
6. Zyrtari i KF Kamza, Naim Qarri, për protesta ndaj vendimeve të gjyqtarit dhe futje të paautorizuar në fushën e lojës, dënohet me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti.
7. KF Skrapari për mosparaqitje ndaj KF Tepelena e humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0.
8. Incidenti i ndodhur jashtë ambienteve të stadiumit të qytetit të Peshkopisë mes ish-trajnerit të KF Korabi, Sali Kallaverja, dhe gjyqtarit të ndeshjes Korabi-Sukthi, Besnard Kaimi, sipas Komisionit të Disiplinës së FSHF-së vlerësohet se duhet të trajtohet si rast nga Komisioni i Etikës së FSHF-së, për shkak se kemi të bëjmë me shkelje flagrante të normave që parashikon Kodi i Etikës së FSHF-së.
9. KF Domosdova, për sjellje jokorrekte të spektatorëve, paralajmërohet për marrje masash të rrepta ndëshkimore në rast të përsëritjes së incidenteve në fushën e saj.
10. Zyrtarët e KF Tërbuni, Bujar Mehja dhe Viktor Gjoni, dënohen secili me nga 8 ndeshje pezullim nga aktiviteti për sjellje të keqe ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Bizhdili: Na dënoi Duka se s’i hapëm portën Skënderbeut

Nexhat Bizhdili
Nexhat Bizhdili lëshon akuza të forta ndaj kreut të FSHF-së, të cilin e konsideron si presidentin de fakto të Skënderbeut dhe sipas tij, arsyeja e vetme se përse Besa u dënua nga Disiplina është se verdhezinjtë nuk u hapën portat korçarëve në ndeshjen e fundit në kampionat. “U bëj thirrje të gjithë kolegëve të mi në klubet e tjera të Superiores që kur të luajnë ndaj Skënderbeut, më mirë t’ia lënë vetë ndeshjen, pasi në të kundërt, do të kenë pasoja, sikundër Besa sot (dje). Unë mund ta kuptoj edhe arsyen e presidentit të Korçës, Armand Duka, sepse faktikisht ai është president i atij klubi, nuk e kishte menduar se Besa ime, skuadër që vinte nga Kategoria e Parë, të ishte në këto nivele. Sigurisht që atij nuk i intereson që Skënderbeu të ketë rivalë të denjë për titull”.
LEONARD KARAJ