E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, tri pikë mes tensionit

Partizani ka rimarrë vendin e dytë në tabelën e klasifikimit, pas fitores së arritur dje me mjaft vështirësi në fushën e vet ndaj Gramshit. Skuadrës së drejtuar nga trajneri Nikolin Çoçlli i ka mjaftuar një gol i Brahos në minutën e 3-të të ndeshjes për të hipotekuar një fitore me shumë vlera. Lini, si zakonisht, kroson saktë në zonë dhe aty Braho me kokë nuk gabon dhe e dërgon sferën në rrjetë. Një avantazh i tillë ndoshta nuk ishte parashikuar nga vendësit dhe fitorja duket mjaft e lehtë. Loja në vazhdim do të jetë pothuajse e barabartë dhe pa shumë raste shënimi. Gjithsesi, ndeshja nuk ka kaluar pa incidente. I tillë ishte ai i minutës së 87-të, kur futbollisti gramshak Lezi rrëzohet në zonën e Partizanit nga mbrojtësit e kuq dhe kryesori i takimit, duke qenë një moment i dyshimtë, nuk jep 11-metërsh. Në këto çaste, përveç lojtarëve në fushë dhe stolit të Gramshit që protestojnë te gjyqtari kryesor, proteston edhe kryebashkiaku i Gramshit, Dritan Bici, i cili nuk i përmban nervat. Me një fjalor aspak të hijshëm për një drejtues, Bici ofendon, madje kërcënon, kryesorin Latifi për mosakordimin e penalltisë. Pas ofendimeve nga tribuna VIP, ku ishte akomoduar kryebashkiaku, vjen edhe reagimi i uniformave blu, të cilat e shoqërojnë për në komisariat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›