E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaka ia thotë shqipes

Me shkuarjen e Granit Xhakës në Borussia Monchengladbach, aty është dëgjuar edhe himni kombëtar shqiptar, të cilin e ka kënduar vetë mesfushori kosovar. Kjo ka bërë që zviceranëve t’u mbetet hatri në 19-vjeçarin që e ka zgjedhur himnin e Shqipërisë para atij të Zvicrës. Por, Xhaka thotë se helvetikët nuk kanë arsye që t’ia zënë për të madhe, ngase tekstin e himnit zviceran nuk e di, e në fund të fundit rrënjët i ka nga Kosova, dhe për këtë ndihet krenar.

Në skuadrën e Bundesligës gjermane, Borussia Monchengladbach – në të cilën gjatë kësaj vere kaloi edhe Granit Xhaka nga Baseli – praktikohet një ritual i zakonshëm, sipas të cilit çdo futbollist i ri që i bashkohet skuadrës, duhet ta këndojë para shokëve të rinj një këngë, ç’fare të dojë vet.

Ndërsa, mesfushori kosovar, i cili luan për Përfaqësuesen e Zvicrës, ishte përcaktuar që ta këndojë himnin kombëtar shqiptar! E ky veprim i Xhakës i ka habitur zviceranët, të cilëve u ka mbetur hatri në 19-vjeçarin që e ka zgjedhur himnin shqiptar para atij zviceran.

E për këtë, Xhaka është ‘marrë në pyetje’ nga tabloidi i njohur zviceran, Blick. “Si fëmijë i mësojmë disa këngë të caktuara. Dhe, sinqerisht, është kënga e vetme që mundem ta këndoj edhe pse, vetëm strofat e para. Shokët e ekipit u befasuan, sepse ata nuk e dinin se prindërit e mi janë nga Kosova”, ka deklaruar Xhaka për Blick.

Kur është pyetur pse ka vendosur ta zgjedhë himnin shqiptar para atij zviceran, Xhaka është përgjigjur se nuk e dinte tekstin. “Si fëmijë nuk e kam mësuar tekstin, pasi që prindërit e mi nuk janë rritur në Zvicër, por në Kosovë”, ka thënë prishtinasi.

Madje, Xhaka është nervozuar me faktin kur ka kuptuar se zviceranëve u ka mbetur hatri që ai ka zgjedh për ta kënduar himnin shqiptar, para atij zviceran. “Unë them gjithmonë: Ndjehem 80 për qind zviceran dhe 20 për qind kosovar. Unë jam zviceran, por rrënjët e mia janë pjesë të mia dhe ashtu do të mbesin përgjithmonë”, ka thënë ai.

“Mua më duhet të jetoj me këtë. Unë e kam prejardhjen që e kam dhe i qëndroj asaj. I dua të dy vendet me gjithë zemër. Nëse dikush mendon me një shpirtngushtësi të tillë, unë nuk kam çfarë të bëj. Dhe, ka edhe zviceranë të qindpërqindtë që nuk dinë ta këndojnë himnin zviceran. Mua, thjesht, më duket e vështirë për ta mësuar. Por, të jem i qartë: unë dua dhe do ta mësoj atë”, ka shtuar Xhaka.

Xhaka: S’do ta këndoj asnjërin himn në ndeshjen Zvicër-Shqipëri

Në shtator, Zvicra e Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit, Valon Behramit, Blerim Xhemajlit e Admir Mehemedit, do ta presë Kombëtaren e Shqipërisë – në kuadër të kualifikimeve për Botërorin ‘Brazili 2014’. Para ndeshjes do të interpretohen himnet e të dyja vendeve, por Xhaka ka paralajmëruar se do të hesht, dhe aty nuk do ta këndojë asnjërin himn.

I pyetur se a do të luajë në atë takim, Xhaka ka thënë: “Qind për qind po. Përgjegjësit e Federatës Shqiptare e dinë përse unë jam përcaktuar për Zvicrën dhe jo për Shqipërinë”, ka pohuar ai. Por, Blick menjëherë ka reaguar duke e pyetur se a mund ta lë në të ardhmen Zvicrën për Përfaqësuesen e Kosovës.

“Ndërkombëtarizimi i përfaqësueses së Kosovës është shumë larg dhe unë nuk merrem fare me këtë gjë”, ka përfunduar Xhaka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›