Taçi ia mësyn Malagës

Mediat e njohura spanjolle kanë raportuar se biznesmeni i njohur shqiptar ia ka mësyrë shumë seriozisht Malagës. Madje, jo vetëm për ta sponsoruar klubin e njohur spanjoll, por për ta blerë tërësisht atë.
“Pronarët e Malagës janë duke negociuar shitjen e skuadrës biznesmenit shqiptar, Rezart Taçi, pronarit të kompanisë së naftës ‘Taçi Oil’ dhe aksionar në kompaninë shqiptare të naftës, Armo”, ka raportuar e përditshmja e njohur spanjolle, Marca.
Sipas këtij mediumi, negociatat është duke i ndërmjetësuar dhe duke i avancuar avokati nga Spanja, Roberto Rodriguez Casas.
Sipas kësaj gazete, ende askush nga zyrtarët e Malagës nuk janë deklaruar rreth kësaj çështjeje, derisa Marca, duke u bazuar në burimet e saj, thekson se tashmë kanë filluar kontaktet me pronarin aktual të Malagës, sheikun nga Katari, Abdullah Al-Thani.
Në fund, Marca kujton se ‘Taçi Oil’ i Rezart Taçit është njëri prej sponsorëve kryesorë në gjigantin italian Milan, derisa kujton se Taçi e ka zbritur në Tiranë dy herë Milanin dhe një herë Real Madridin.