Lushnja humbet miqësoren me Laçin, Bano përzgjedh të rinjtë
Takimi i zhvilluar në Roza Haxhiu u fitua nga laçjanët me rezultatin 1-0, me gol të Nimanit të shënuar në minutën 20-të. Miqtë humbasin dy penallti
Nga JULIAN KASAPI
Lushnja dje zhvilloi një takim miqësor me skuadrën e Laçit. Kjo ndeshje, i shërbeu trajneri Bano dhe stafit teknik që ai drejton për të evidentuar edhe problemet që ka ekipi dhe për ti rikuperuar ato në kohën e duhur, përpara fillimi të kampionatit të ri. Takimi i zhvilluar në Roza Haxhiu u fitua nga laçjanët me rezultatin 1-0, me gol të Nimanit të shënuar në minutën 20-të. Por laçjanët në këët takim shpërdoruan edhe dy mundësi shënimi nga pika e bardhë e penalltisë, ku në minutën e 13-të ishte Nimani, që nuk realizon dhe në minutën e 32-të është radha e Emurllait për të humbur penalltinë. Trajneri Bano në këtë takim preferoi që të aktivizojë të rinjtë, që po i nënshtrohen seleksionimit, përjashtim këtu bënte vetëm portieri Spaho. Periudha stërvitore nën drejtimin e Banos është e shkurtër, vetëm pak ditë, megjithatë tekniku lushnjar ka arritur të grumbullojë 40 futbollistë, ku një pjesë e tyre kanë luajtur me skuadrën në sezonin e kaluar. Falë bashkëpunimit të Bashkisë me donatorët, që financojnë klubin janë afruar dhe disa lojtarë, të cilët kanë qenë njohje të vjetra të skuadrës verdhjeshile vite më parë. Ata kanë pranuar të firmosin për një vit me skuadrën lushnjare dhe të aktivizohen për këtë sezon që nis me 1 shtator. Mësohet se grupi i lojtarëve që ka në dispozicion tekniku Artan Bano dhe ndihmësit e tij Hysko e Çuko, do të jenë pjesë e grumbullimit 2 javor në plazhin e Divjakës. Për sa i përket merkatos, nuk ka asnjë zyrtarizim, megjithatë premisat janë për tu afruar disa lojtarë të tjerë cilësor edhe pse ditët e fundit janë afruar Grizha e Prela.
