E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamza vijon përgatitjen dhe merkaton, Tanushi për sulmin

Nga ILIR CARA

Para disa ditësh presidenti Naim Qarri prezantoi Kamzën e sezonit të ri, ku trajner u emërua Sajmir Malko. Ky ekip mbetet që të marrë edhe konsensusin e bashkisë, e cila nga ana e saj ka premtuar se javën që vjen do të nisë krijimin e Kamzës që ajo mendon. Gjithsesi, për momentin në terren ndodhet një Kamzë, e cila administrohet nga presidenti Qarri dhe pjesa dërrmuese e grupit që stërvit trajneri Malko është ai i sezonit të shkuar. Përveç përgatitjeve në terren kamzalinjtë po punojnë edhe në merkato, ku synim kryesor mbetet përforcimi i sulmit. Mësohet se presidenti Qarri ka hyrë në bisedime me disa futbollistë dhe thuhet se është gjetur akordi me sulmuesin laçjan, Eduard Tanushi, i cili në dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e Pogradecit. Thuhet se në javën që vjen do të ketë edhe goditje të tjera, pasi në bisedime janë edhe me disa futbollistë të tjerë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të qenë nën urdhërat trajnerit Malko. Zërat bëjnë me dije se mund të ketë përforcime me elementë nga Lushnja e sezonit të shkuar, por emrat nuk preferohen që të dalin në qarkullim. Nuk përjashtohet mundësi që të rikthehet edhe ndonjë futbollist, i cili luajti me Kamzën në superligë, që për momentin po përgatiten me skuadra të tjera. Por ajo që ka më shumë rëndësi për Kamzën është se cili do të jetë vendimi i federatës, se kujt i takon e drejta e përfaqësimit të klubit në Kategorinë e Parë?

Stadiumi Për momentin thuhet se Bashkia e Kamzës është e vendosur për të mos e njohur ekipin e ndërtuar nga presidenti Qarri dhe në rast se federata i jep të drejtë atij, atëherë ata nuk do të lejojnë që ky ekip të luajnë në stadiumin e qytetit. Por mësohet se presidenti Qarri i ka bërë parapritë kësaj bllokade, pasi ka arritur akordin me drejtuesit e Kukësit, që ndeshjet brenda ti zhvillojë në stadiumin Zeqir Ymeri, i cili është në fazën e fundit të rikonstrukionit.

Guçaj dhe Kora në një zë: Qëndrojmë te Naftëtari

Nga ARBEN ÇEPANI

Te Naftëtari, pas ndryshimeve në stafin teknik, është rikthyer më në fund entuziazmi i munguar. Me afrimin e dyshes Vasili-Koroveshi si trajnerë të ekipit, optimizmi në kampin kuçovar është rritur njeshëm. Futbollistët kanë filluar stërvitjen kolektive, ku pjesëmarja është e kënaqshme. Momentalisht, kontigjenti i Naftëtarit është produkt i shkollës kuçovare, ndërsa në ditët e ardhshme priten disa përforcime me futbollistë nga qytetet e tjera. Ndërkohë, vëmendja për përmirësimin e gjendjes financiare është e përqendruar  te kryebashkiaku Bardhyl Gjyzeli, i cili njihet si dashamirës i sportit, por mbi të gjitha është treguar mjaft korrekt në marrëdhënie me futbollistët. Ndërkohë, në këtë sezon raportet e aktivizimit në kampionat, do të jenë në favor të futbollistëve kuçovarë. Gjatë kësaj periudhe këta të fundit, edhe pse kanë pasur oferta të shumta nga ekipe të ndryshme, kryesisht të Kategorisë së Parë, nuk e kanë braktisur skuadrën e tyre. Për tu përmendur është dyshja Kora-Guçaj, të cilët pasi kanë refuzuar ofertën e bërë nga ana e ekipit të Gramshit, kanë vendosur që të kontribuojnë në të ardhmen për skuadrën, ku u formuan si futbollistë. Duhet theksuar se oferta e ardhur në drejtim të tyre ka qenë me të vërtetë mjaft serioze dhe e kënaqshme për sa i përket anës financiare që do të përfitonin këta futbollistë. ”Vlerësojmë interesimin e drejtuesve të Gramshit, por nuk mund të shkëpusim në asnjë mënyrë bashkëpunimin tonë me Naftëtarin ,- shprehen Kora dhe Guçaj, duke vijuar më tej: Në këto momente, mbështetja financiare te ekipi ku ne aktivizohemi mund të jetë modeste, por ne jemi të vendosur të vazhdojmë të japim kontributin tonë për skuadrën, ku u formuam si futbollistë. Këtë sezon ne do të konkurrojmë në Kategorinë e Parë pas një mungese tre vjeçare dhe nuk ka asnjë dyshim që emocionet janë të mëdha nga të gjithë ne. Seancat stërvitore filluan me vonesë, por ky është një kapitull i mbyllur dhe tani duhet të mendojmë vetëm për të ardhmen. Mendojmë se gjithçka do të përmirësohet si në drejtim të organizimit teknik, ashtu edhe në atë të planit financiar. Shpresojmë të bëjmë një figurë sa më të mirë në Kategorinë e Prë dhe të qëndrojmë sa më gjatë aty. Jemi një grup futbollistësh që kemi vite që luajmë së bashku dhe e njohim mirë njëri-tjetrin, ku kolektiviteti dhe harmonia është arma jonë më e fortë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›