Seleksionimet, dalin emrat e parë te Dinamo
Pas disa ditë pune për seleksionimin e lojtarëve që do të jenë pjesë e Dinamos, mësohen edhe emrat e disa prej të përzgjedhurve nga ana e stafit dinamovit, megjithatë pritet që sot të dalë edhe lista e plotë e lojtarëve të përzgjedhur nga kjo fazë seleksionuese
Nga ANDI TANKU
Pas disa ditë seleksionimesh te ekipi i Dinamos, kanë dalë edhe emrat e parë të lojtarëve që do të jenë pjesë e bluve sezonin e ardhshëm. Përzgjedhjet për të evidentuar elementët e nevojshëm për të plotësuar organikën e dinamovitëve ka filluar prej disa ditësh në kompleksin stërvitor në Kamëz. Burime brenda klubit bëjnë me dije se janë evidentuar disa futbollistë nga trajneri Zhupa, ku ka një larmishmëri moshash dhe skuadrash nga të cilat janë afruar, por nuk mungojnë as lojtarë që kanë luajtur jashtë vendit. Kështu në portë është konfirmuar Arion Mustafa, më pas repartet e tjera do ti mbulojnë Likmeta, i cili është aktivizuar me ekipin e Kamzës, Liçaj dhe Halili, ky i fundit është aktivizuar më parë me ekipin e Kukësit. Gjithashtu, kësaj liste i shtohen edhe lojtarë që kanë qenë pjesë e bluve të kryeqytetit gjatë sezonit të kaluar dhe ata që janë afruar nga ekipet e moshave të Dinamos. Bëhet fjalë për Feraj, Baholli dhe Turtulli, i cili është pjesë e Kombëtares së 19 vjeçarëve që drejtohet nga trajneri Foto Strakosha. Por ajo që bie në sy, është afrimi i lojtarëve që janë aktivizuar jashtë kampionatit shqiptar. Canka dhe Homeraj janë përzgjedhur nga stafi dinamovit si pjesë e kontingjentit të skuadrës për vitin e ardhshëm. I pari është aktivizuar në Itali, ndërsa Homeraj në Greqi, pa harruar edhe maqedonasin Njebza që i shtohet emrave të mësipërm si futbollistët që do të mbajnë peshën e realizimit të atyre objektivave që ka klubi për sezonin e ardhshëm. Mirëpo, në kryerjen e këtij misioni, që mendohet të jetë ngjitja në Superligë, këta futbollistë do të ndihmohen edhe nga emra të tjerë futbollistësh që do të konfirmohen ditën e sotme nga drejtuesit e klubit dinamovit. Mesa duket, sot do ti jepet edhe dora e fundit përzgjedhjes së elementëve që do të plotësojnë organikën e Dinamos dhe mendohet se javën e ardhshme, stafi teknik i skuadrës do të fillojë punën sipas programit të përcaktuar në këtë fazë përgatitore, të cilën Dinamo do ta zhvillojë në Maqedoni. Pritet që në ditët e ardhshme, të ndodhë edhe ndonjë goditje në këtë merkato nga ana e drejtuesve të klubit dinamovit, për të përforcuar edhe më shumë grupin që ka tashmë në dispozicion trajneri Zhupa dhe në mënyrë që ky i fundit të ketë sa më shumë alternativa në të gjitha repartet e fushës.
Te Besëlidhja është koha për tu provuar në fushë
Nga ILIR CARA
Besëlidhja e sezonit të ri do të jetë ndryshe nga ajo e kampionatit të fundit, ku lezhjanët ishin shumë pranë realizimit të ëndrrës superligë. Ndryshimi në kampin lezhjan ka të bëjë me strukturën e skuadrës, por objektivi mbetet i njëjti, ngjitja në Kategorinë Superiore. Përgatitjet për sezonin 2012-2013 Besëlidhja i ka nisur me trajner të ri, ku vendin e Ritvan Kullit, që ishte në kampionatin e fundit e ka zënë Sokol Meta. Gjatë kësaj periudhe hemorragjia ka qenë prezente te Besëlidhja, pasi janë larguar disa futbollistë, kryesisht ata që vinin nga Serbia dhe kapiteni Florian Peqini. Gjithsesi, lezhjanët e kanë ruajtur boshtin e skuadrës dhe shpresohet se në ditët në vijim ekipi do të përforcohet me elementë të tjerë. Nën drejtimin e trajnerit Sokol Meta, Besëlidhja po përgatitet me ngarkesë të lartë, përgatitje të cilat janë kryer në Lezhë. Gjatë kësaj periudhe të shumtë kanë qenë futbollistët e rinj që kanë ardhur për tu testuar, por stafi ende nuk e ka thënë fjalën e tij. Javën që vjen pritet që Besëlidhja të masë forcat në fushën e lojës, ku parashikohet që të nisin me miqësoret. Me shumë mundësi kundërshtari i parë i lezhjanëve në këtë periudhë përgatitore do të jetë një ekip kosovar, ku me shumë mundësi do të luajnë ndaj Vllaznimit të Gjakovës. Për drejtuesit e Besëlidhjes këto miqësore do të jenë pasqyra reale e asaj që është bërë tek skuadra gjatë përgatitjeve të deri tanishme. Sigurisht në këto miqësore do të testohen edhe elementët e rinj, që synojnë të veshin fanellën e Besëlidhjes.
