E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreth 10 mijë raste me gripin e derrave

Dje në mëngjes, përmes një deklarate për shtyp, Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se numri i të prekurve prej gripit të derrave në rang botëror po i afrohet shifrës 10 mijë. Deri dje në orët e drekës nga virusi H1N1 janë prekur të paktën 9830 njerëz dhe janë shkaktuar të paktën 79 vdekje - pjesa më e madhe e të cilave në Meksikë. Organizata bën me dije se numri i të prekurve mund të jetë edhe më i madh, duke qenë se duhet kohë që qeveritë e shteteve të kapin dhe të konfirmojnë rastet e të sëmurëve.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë raportuar të paktën 5123 raste. Autoritetet shëndetësore amerikane kanë lidhur pesë vdekje me virusin H1N1, ndërkohë që edhe një vdekje e gjashtë në Nju Jork ka të ngjarë të përfshihet mes viktimave të gripit. Shqetësimet mbi përhapjen e sëmundjes u shtuan edhe më tej të martën, edhe pse autoritetet kanë sqaruar vazhdimisht se epidemia mund të jetë më e lehtë nga ç‘mendohej fillimisht. Për rastin e Nju Jorkut bëhet fjalë për një foshnjë, shkaqet e vdekjes së të cilit janë ende në shqyrtim e sipër. Në rast se do të konfirmohet, kjo do jetë vdekja e gjashtë në SHBA me shkaktar gripin e derrave.

Ndërkaq, lajme të mira vijnë nga Koreja e Jugut, ku shkencëtarët e një universiteti mendojnë se kanë gjetur një virus, i cili ka shanse të mira të kthehet në kandidat për prodhimin e vaksinës kundër virusit H1N1. Gjithsesi, zbulimi i koreanojugorëve nuk është konfirmuar ende nga Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë dhe as nga autoritetet shëndetësore amerikane. Puna e shkencëtarëve koreanojugorë konsiston në modifikimin gjenetik të një virusi, gjë që mund të shpjerë më pas në krijimin e vaksinës kundër gripit të derrave, tha Seo Sang-Heui, profesor në Kolegjin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit Kombëtar të Koresë së Jugut. "Krijuam një virus kandidat", tha profesori për rrjetin amerikan CNN. Nevojiten ende teste të tjera, por Seo Sang-Heui beson se ai dhe kolegët e universitetit janë në udhën e duhur për krijimin e vaksinës së shumëpritur.

Profesori shtoi se tetë epruvete që përmbajnë virusin e modifikuar gjenetikisht janë dërguar në Qendrën Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Epidemive. Deiv Daigëll, zëdhënësi i kësaj qendre tha për mediat se kampionet e virusit qenë dërguar në dhjetë laboratorë të tjerë në shtete të ndryshme të botës, por se nuk kishte asnjë konfirmim për rezultatin e pretenduar nga shkencëtarët koreanojugorë.

Shkencëtarë nga e gjitha bota janë vënë në garë për zbulimin e vaksinës që do mund të ndalë përhapjen e gripit që tashmë është konfirmuar në shumë shtete të botës. Por Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Epidemive kanë thënë se normalisht nevojiten gjashtë muaj që nga përhapja e një epidemie për zbulimin e vaksinës përkatëse.

Gjatë ditëve të para të këtij muaji autoritetet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thanë se kandidatët për vaksina të propozuara nga ente të ndryshme do t‘u nënshtrohen testeve të imta laboratorike dhe më pas do të provohen te pacientët. Po, gripi i derrave ishte edhe në qendër të aktivitetit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Bank Ki Mun, bëri me dije se ka kontaktuar me më shumë se 30 kompani farmaceutike për prodhimin e një vaksine efikase, ndërkohë që nxiti të gjitha shtetet për solidaritet në luftën kundër këtij rreziku.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›