Xhanfise Keko nje thirrje per femijet e filmit
Si sot tre vjet më parë, Xhanfise Keko mbylli heshturazi sytë në shtëpinë e saj. Ajo, zonja e filmit, e kishte përmbushur tashmë misionin. Kishte lënë një Mimoza llasticë, një Beni ecën vetë, një Taulant që kërkon një motër, Tomkën dhe shokët e tij etj. Në fund, rrëfeu në një libër gjithë rrugën e saj artistike dhe njerëzore. Ishte e para kineaste femër dhe gruaja që arriti të shënohet në historinë e kinematografisë, edhe pse me epitetin e përsëritur të filmit për fëmijë. Fëmijët që ajo gjeti nëpër kopshte e shkolla, që i mbante në shtëpinë e saj dhe i nxori në sheshin e xhirimit për t’i bërë protagonistë, janë ende të vegjël në pelikulë, ndonëse në jetë jo. Xhanfise Keko prej tre vjetësh nuk mund të flasë më, por filmat e saj e bëjnë më së miri. I madh e i vogël qëndrojnë ende para imazheve bardhë e zi që ajo ndërtoi në sheshet e xhirimit. Natasha Lako, skenariste në ish-Kinostudio dhe një nga mikeshat Xhanfises, ka shumë kujtime. Nga jeta në Kinostudio, nga udhëtimet në festivalet e filmit, por edhe refuzime që i vinin Xhanfises për faktin se ishte grua. “Është bërë zakon që të rendisim në vargun e figurave të sotme kombëtare disa emra të mëdhenj në të gjitha fushat: shoqërore, ekonomike, artistike dhe kinematografike. Në fushën kinematografike emri i Xhanfise Kekos është i padiskutueshëm, sepse flet vepra e saj, por në një përvjetor vdekje si ky që po kujtojmë sot, në gjykimin dhe kujtesën e shoqërisë shqiptare kemi një Xhanfise Keko kineaste të madhe, por kjo do të thotë që kemi një personalitet të madh të kombit shqiptar. Nuk është e rastit që e kujtojmë vazhdimisht, jo thjesht si njeri që ka krijuar në fillimet e kinematografisë shqiptare, por sepse ka gjetur një llogore të çuditshme, magjike në botën patriarkale shqiptare”, thotë Lako. Historia e Xhanfise Kekos drejt kinemasë ka një rrugëtim të veçantë. Nga shitëse biletash në kinemanë “Republika” në vitet e para të pasluftës, te diplomimi në Moskë, kthimi në Shqipëri, puna si montazhiere në ish-“Kinostudio”, regjisore montazhi për filmat artistikë e pastaj si regjisore për filmat për fëmijë. Natasha Lako beson se kjo ishte një “parcelë” që ia lanë Xhanfises sepse ishte grua, gruaja e parë shqiptare që nisi historinë e filmit dhe që mbetet një shembull suksesi edhe më tej. Lako nuk është dakord as me përcaktimin që u bëhet filmave që ajo krijoi, si filma për fëmijë. “Në këtë shoqëri patriarkale i konsiderojmë filma për fëmijë, por filmat e saj i shikojnë me kënaqësi të rriturit. Është e vërtetë që objekti i saj janë fëmijët, bota e tyre, por e bukura te Xhanfiseja është se këtë botë të fëmijëve e inkuadron në tërë botën e njeriut. Ajo e shkatërroi raportin e ngurtë që ekzistonte dhe rikrijon një raport ku fëmijët janë të barabartë me të tjerët, qëndrojnë përballë aktorëve më të mirë dhe kanë personalitetin e tyre. Këta filma kanë thjeshtësi sublime, kanë vërtetësi, pa folur pastaj për mjeshtërinë artistike si regjisore. Ajo krijon një qytetërim të ri shqiptar përmes kinematografisë”, thekson Lako. Xhanfise Keko nuk krijoi më që në moshën 50-vjeçare. Këto ishin pasojat e kohës kur jetoi. Protagonistët e filmave, apo ata që hynë qoftë edhe rastësisht në jetën e saj, kujtojnë edhe një Xhanfise njerëzore. Ku qëndron forca e saj? “Ishte vrojtuese shumë e madhe. Të qenët grua e ndihmonte shumë në vrojtim dhe në zbulimin e një magjie tjetër në botën e fëmijëve. Ashtu siç bëjnë krijues të mëdhenj, Xhanfise Keko e testonte dhe provonte atë që do të krijonte. Kishte intuitë dhe forcë selektive të madhe, i donte shumë fëmijët dhe jo rrallë pati marrë rolin e nënës për ta. E bëri aq shumë këtë rol në jetën shoqërore, sa i mbeti peng që nuk u kishte qëndruar më afër fëmijëve të saj”, tregon Lako. Në fakt, në 20 vite boshllëk në realizimin e filmave për fëmijë, shumë mund të pyesin: A do të ketë sërish një ditë filma si ata që realizoi Xhanfise Keko? A do të ketë sërish protagonistë fëmijë? Në këtë trevjetor të vdekjes, Natasha Lako beson se sot puna e saj është një thirrje. “Ajo na thotë të merremi me fëmijët se janë pjesë e botës. Ne sot abuzojmë me fëmijët tanë duke i neglizhuar, duke mos i quajtur pjesë, duke mos i respektuar si qenie që në fëmijëri ka individualitetin e vet. Është neoabuzim nëse nuk bëjmë filma për fëmijë dhe Xhanfise Keko na e thotë përditë këtë”, përfundon Lako.