E Diel, 1 Nëntor 2026

"Vejusha gazmore" nje histori e pazakonte

TIRANE-"Vejusha gazmore", një operetë me tri akte, do të sjellë në jetën artistike të kryeqytetit këtë fundvit, një atmosferë të pazakontë hareje, dashurish, intrigash, zbavitjesh plot ngjyra dhe energji. Jo pa qëllim është lënë kjo premierë e veçantë në prag të festave dhe jo pa qëllim artistët që e sjellin janë të gjithë të rinj, me talente dhe energji që do të lënë gjurmë në shijet artistike të spektatorëve që do të kenë fatin ta ndjekin. E trajtuar si një komedi, historia moderne e "Vejushës gazmore", në të vërtetë një histori shqiptaro-pariziene, është bazuar në një komedi të vitit 1861, të titulluar "Atasheu i ambasadës". Premiera do të jetë më 23 dhjetor dhe do të vijojë shfaqjet edhe më 24, 25 dhe 26 dhjetor, ora 19:00. Muzikën e Operetës me tri akte "Vejusha gazmore" e ka shkruar Franz Lehar, ndërsa libretin, Victor Leon dhe Leo Stein. Regjisor është Christian Papke. Marrin pjesë Orkestra Simfonike dhe kori i Operës nën drejtimin e Deniola Kurajës. Interpretojnë Dorina Selimaj, Ardita Meni, Erlind Zeraliu, Emiljana Palushja, Klodian Kacani, Julian Gjolldeshi etj. Kjo operetë, sipas komedisë së vitit 1861, "Atasheu i ambasadës", që nga viti 1905 kur është luajtur për herë të parë në Vjenë, ka korrur një sukses të pandalshëm duke u vënë në skenë në mënyrë të vazhdueshme.
Një histori moderne shqiptaro-pariziene
Zhani Ciko, drejtor i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, thotë se kjo operetë është zgjedhur me kujdes për këtë pjesë të kalendarit artistik. Artistët e rinj të angazhuar në këtë shfaqje do të përcjellin energjitë e duhura, harenë dhe emocionet që kërkon kjo vepër muzikore.
Ngjarjet e "Vejushës gazmore" vendosen në Paris, në vitin 2005. Ana, një vajzë e re nga Shqipëria që është larguar nga Tirana që herët, së bashku me prindërit për në Francë dhe Danilo, një dandy nga një familje tradicionale franceze, janë një çift i dashuruar, por për disa arsye lidhja e tyre do të shkëputet. Dashuria mbase do t'i kishte kapërcyer pengesat, nëse nuk do të ndërhynin prindërit e Danilos, me botëkuptimin dhe paragjykimet e vjetruara. Martesa mes Danilos dhe Anës anulohet dhe lidhja e tyre prishet. Danilo jepet pas aferave të ndryshme. Kurse Ana vendos të marrë më të mirën nga ajo që mund t'i ofrojë Perëndimi sipërfaqësor: sigurinë financiare. Prandaj martohet me një burrë pasanik, bankierin plak Glavari. Nuk do të zgjasë shumë bashkëjetesa me të. Ai vdes dhe Ana e mbetur vejushë do të trashëgojë një pasuri marramendëse... Kjo pjesë e historisë, ku edhe nisin intrigat dhe befasitë e kësaj historie, do të tregohet në aktin e parë. Është viti 2013. Ambasadori francez në Tiranë organizon një mbrëmje, të cilën e nderojnë një radhë mysafirësh të lartë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Tensioni rritet në çastin kur ambasadori u thotë disa miqve të tij të besuar se po priste një mysafir krejt të veçantë: Ana kthehet me ftesë të tij për herë të parë në Tiranë, prej largimit të saj dikur - njohja me të ekziston qysh nga koha e Parisit. Ambasadori ka frikë se ajo mund të martohet për herë të dytë, duke larguar pasurinë e saj të konsiderueshme nga Franca, çka mund të shpinte në një falimentim përfundimtar të disa bankave evropiane, sakaq të ngërthyera në krizë financiare. Pas ftesës fshihet pra dhe ideja për ta "martuar" gruan e re sërish me Francën, saktësisht për ta "lidhur" atë me një punonjës të ri të ambasadës franceze në Tiranë: një aventurier të vërtetë që punon pak dhe pa dëshirë gjatë ditës, por është tepër aktiv gjatë natës. Ai është Danilo! Ambasadori nuk di gjë për njohjen e dikurshme mes të dyve… Historia rezervon shumë surpriza. Ç'do të ndodhë mes Anës dhe Danilos? Po historia e ambasadorit të dashuruar me një grua të re shqiptare? Tradhti, flirte, prapaskena dhe në fund, një fund i lumtur….
Artistet e rinj
Në orët e provave në Teatrin e Operas shijojmë pjesëza të kësaj historie dhe konstatojmë se trupa e interpretëve është e gjitha e përbërë nga artistë të rinj, me një apo dy role, ku kanë spikatur, e mjaft të tjerë debutojnë për herë të parë.
Kjo shfaqje është një prej ingranazheve në zinxhirin e projekteve mbi të rinjtë në Teatrin e Operas. Zhani Ciko, drejtor i TKOB-it, thotë se opereta "Vejusha gazmore" do të ngjitet në skenë nga një kast artistësh shumë të talentuar, të gjithë të rinj e me një energji të pazakontë. Politika e mbështetjes së brezit të ri të artistëve ka nisur prej vitesh në TKOB dhe sipas Cikos, është parë si një domosdoshmëri për të siguruar "gjakun e ri" në këtë institucion. "Fondi i rinisë prej vitesh tërheq artistë të rinj në shfaqje të ndryshme që kemi ngjitur në skenë. Thuajse çdo vit me këtë projekt të veçantë në TKOB tërhiqen mbi 30 artistë të rinj, që janë diplomuar e i nënshtrohen konkursit duke u aktivizuar në shfaqjet e operas por edhe të ansamblit, që nga rolet e vogla e deri në role kryesore. Po të studiosh kartelonin tonë të shfaqjeve, shihet që nuk aktivizohen të njëjtët artistë, madje ka vepra të cilat i adresohen kësaj kategorie të solistëve të rinj, siç është edhe kjo premierë e veçantë, "Vejusha gazmore". Kjo sipas drejtorit Ciko, bëhet edhe për një qëllim tjetër përtej angazhimit të artistëve të rinj, duke e parë marrëdhënien e të rinjve me operan si një mozaik ku duhet të funksionojnë të gjitha detajet, pra jo vetëm integrimi i talenteve të reja, por edhe në rastin e publikut, ku primare është joshja drejt këtij arti elitar dhe edukimi i shijeve të tyre muzikore.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›