E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhani: “Kuqezinjtë” s’ishin shumë të interesuar

Reshat Ibrahimi
Shkup, 12 shkurt – Ndeshja miqësore e paralajmëruar kohë më parë mes skuadrës së Shkëndija HB nga Tetova dhe KF Partizani të Tiranës sipas të gjitha gjasave nuk do të luhet. Publiku tetovar nuk do të ketë mundësi të shohë në stadiumin buzë Sharrit, miqësoren që ishte paralajmëruar edhe si shkak i pavarësisë së Kosovës. I kontaktuar nga "Lajm", presidenti i Partizanit, Albert Xhani ka treguar disa nga arsyet pse mundë të mos luhet kjo ndeshje. "T'ju them sinqerisht drejtuesit e Shkëndijës na kanë kontaktuar vetëm një herë dhe u humbën më. Nuk kemi kontaktuar për t'i konkretizuar bisedat për këtë përballje. Këto punë nuk shkojnë ashtu lehtë. Ata na thanë se duan të luajnë rreth datës 26 ose 27 shkurt dhe më pas u zhdukën. Ndoshta edhe nuk janë aq shumë të interesuar", sqaron presidenti Xhani. Ai gjithashtu si pengesë e sheh edhe orarin e ngarkuar që duhet ta respektojë. "Problem tjetër është edhe orari tepër i ngarkuar i yni. Të shtunën kemi ndeshje në kampionat dhe nuk do të ketë mundësi që të luajmë. Ne jemi të gatshëm për ndeshje miqësore, por pas 3-4 javësh", tha Albert Xhani. Ndryshe nga numri një i të "kuqve", kryetari i Shkëndija HB, Sinan Idrizi pret telefonatë pohimi nga Tirana. "Ne kemi biseduar me drejtuesit e Partizanit për këtë ndeshje. Sot (e martë) pres që të na kontaktojnë dhe të na tregojnë vendimin përfundimtar. Ata kanë lojë të shtunën, kurse ne presim që të luajmë me ata ditën e hënë ose të martë", ka thënë Idrizi. Përndryshe, takimi Shkëndija - Partizani ishte parashikuar që të luhej në Tetovë dhe përvec të një karakteri miqësor ky takim do të kishte edhe një karakter festiv për pavarësinë e Kosovës. Shkëndija nëse nuk luan me Partizanin, ka shanse që gjatë të shtunës ose të dielës të luajë në Ohër me Bazhaninë e Serbisë ose me ndonjë ekip tjetër nga Maqedonia.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›