E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja 2008-2010: 3 milionë euro e drejta televizive

Bledar KUKA
Dicka më shumë se 3 milionë euro do të fitojë Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) nga shitja e së drejtës televizive të ndeshjeve të kombëtares deri më 2010. Fituese e tenderit ishte kompania "RTL Group", e cila fitoi mbi konkurrencën mes 4-5 kompanive, të gjitha ndërkombëtare. "E drejta televizive u shit për rreth 3 milionë euro, - u shprehën mbrëmë burime në FSHF, - pas një tenderi që u përgatit për 2-3 muaj, fituese u shpall kompania "RTL" dhe oferta u diskutua më së shumti në aspektin financiar". "... kompania "RTL Group" do të jetë partnerja e FSHF-së për shitjen e të gjithë të drejtave televizive të ekipeve kombëtare për periudhën janar 2008-31 maj 2010", - shkruhej në njoftimin zyrtar të Federatës. Tenderi u përgatit nga një grup pune prej 5 specialistësh e zyrtarësh në FSHF dhe u shpall nëpërmjet njoftimeve me e-mail etj. Në garë ishte edhe kompania "Sport FIve", që ekishte të drejtën televizive për edicionin e kaluar. Ndonëse tenderi ishte i hapur për kompani ndërkombëtare dhe shqiptare, në renditjen përfundimtare figuronin vetëm të huajt. Ky përfitim duket se është më i madh se ai që siguroi FSHF në edicionin e kaluar. "RTL Group" është kompania më e madhe televizive, radiofonike dhe e prodhimit të filmave në Europë me 42 televizione dhe 32 radiostacione në 10 vende. Paketën e shumicës së aksioneve i ka kompania gjermane Bertelsman (Bertelsmann) dhe vendet me TV e Radio të RTL-së janë Gjermania, Luksemburgu, Franca, Belgjika, Holanda, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Spanja, Hungaria dhe Kroacia si dhe ka kompani produksioni në SHBA. Ajo i ka zyrat në Kirhberg (Kirchberg) në Luksemburg, është themeluar më 2000 dhe si kompani është e tipit publik. Me 8 551 të punësuar dhe 5.6 miliardë euro të ardhura më 2006 ajo e meriton të jetë udhëheqëse e Europës në sektorin e saj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›