General Motors falimenton, qeveria amerikane do të marrë 70% të aksioneve
Kompania e madhe e prodhimit të makinave në SHBA, “General Motors”, ka njoftuar dje zyrtarisht falimentimin e saj. Pas kësaj qeveria amerikane do të marrë përsipër rreth 70 për qind të aksioneve të gjigantit më të madh botëror për prodhimin e makinave, njoftim i konfirmuar edhe nga një zëdhënës i qeverisë në Uashington. 12 për qind të aksioneve të tjera do të merren nga Kanadaja dhe 17.5 për qind nga një fond i sindikatës së prodhuesve të automjeteve. Pas zyrtarizmit të falimentimit, vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kontribuojnë me mbi 30 miliardë dollarë me ndihma financiare. Më pas pritet që të mbyllen 11 uzina dhe të ndërpritet përkohësisht puna në tre uzina të tjera të “General Motors”-it. Ky proces mori një përkrahje nga shumica e pronarëve të bonove që vendosën të realizohet marrëveshja. Në këmbim të kësaj, ata do të marrin të paktën 10 për qind nga një kompani më e vogël, siç pritet të dalë nga ristrukturimi “General Motors”. Qeveria pritet të marrë më shumë se 70 për qind të aksioneve, duke paguar kështu faturën e falimentimit më të madh të një kompanie në historinë e industrisë së Shteteve të Bashkuara.