E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni rifiton “emrin”, në treg skema e re e mbrojtjes

 

Duket se rrota e fatit në Itali është kthyer përsëri nga kryeministri Silvio Berluskoni, me gjithë skandalet mediatike të publikuara gjatë muajit të fundit. Tani mediat në Itali nuk mund të bëjnë tjetër përveçse të publikojnë lajmet e skemës së ndërtuar prej tij për të sqaruar të gjithë turbullirën “e ndërtuar nga opozita”. “Në këtë fushatë elektorale është prekur fundi. Opozita mbush me thashetheme boshllëkun e programeve të saj”, ka deklaruar dje kryeministri italian. Kryetari i qeverisë italiane, që njihet ndryshe në botë edhe si perandori i mediave në Itali, ka marrë edhe kërkesën për falje nga ish i dashuri i Noemi Letizias, vajzës 18-vjeçare nga Napoli, në ditëlindjen e së cilës ishte i pranishëm edhe kryeministri, gjë që provokoi polemikat mediatike dhe akuzat e së shoqes, Veronika Lario, se ai “shkonte me minorene”, duke kërkuar më pas divorcin. Tani, Gino Flaminio ka deklaruar se fjalët e tij janë shfrytëzuar keq nga mediat dhe se nuk ka asgjë të keqe që “një njeri i popullit si kryeministri ynë të ketë miqësi me një familje normale si ajo e Noemit. Dhe unë i kërkoj falje për të gjitha ato që kam thënë dhe janë shfaqur në publik në atë mënyrë”. Kështu kryeministri fitoi edhe një plus në regjistrin e sjelljes. Një tjetër plus ishte deklarata e një vajze tjetër spektakli në mediat në pronësi të kryeministrit, Laura e “Grande Fratello”-s, e cila ka deklaruar në Tgcom, se gazeta “Espresso” (kundërshtare politike e kryeministrit), i ka ofruar para për të futur Berluskonin në grackë, por ajo nuk ka pranuar. Gazeta ka reaguar duke i mohuar deklaratat e saj. Përveç kësaj, tani ishte edhe koha të zbulohej se “Veronica Lario ka shumë kohë që ka një të dashur. Ai quhet Alberto Orlandi, është 47 vjeç, është shefi i sigurisë së vilës Macherio dhe me të ajo ndan projekte, interesa e pushimet”, ka komentuar mikja e afërme e familjes Daniela Santanché për “Libero”. Ajo ka shtuar se, “Berluskoni e di, por ka bërë me të një pakt: vazhdojmë për fëmijët dhe nipërit”.

“Times”
Gazeta britanike “The Times” ka vlerësuar në një artikull se “Berluskoni duhet t’i përgjigjet akuzave të ngritura kundër tij jo me kundërakuza për shkelje privatësie, sepse vlera e një qeverie nuk është një fakt privat”, shkruan në artikullin e titulluar “Ra maska e klounit”. Berluskoni ka replikuar se “gazetat e huaja janë të nxitura nga e majta italiane”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›