E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiten 130 mijë lekë në vilën e biznesmenit

FIER - Rreth 130 mijë lekë i janë vjedhur një biznesmeni në shtëpinë e tij në fshatin Gorre të Rrethit të Lushnjës.

Burime të policisë bënë të ditur se, persona ende të paidentifikuar kanë grabitur mbrëmjen e së dielës shumën e parave në banesën e Agim Gjekës, pronarit të firmës “GEROSI”, që ndodhet pranë segmentit rrugor Fier-Lushnjë. Sipas burimeve, pasi janë siguruar se në shtëpi nuk gjendej njeri, vjedhësit kanë hyrë në katin e dytë të vilës dykatëshe, pasi kati i parë shfrytëzohej si vend prodhimi dhe tregtimi sallamesh. Policia ka pohuar se, vjedhja ishte e planifikuar që më parë, pasi autorët kanë shfrytëzuar momentin kur familjarët ishin larguar për të darkuar jashtë me rastin e festës së pashkëve. Mësohet se, hajdutët kishin krijuar kaos në shtëpi duke përmbysur çdo gjë, derisa kanë gjetur vendin ku mbaheshin të hollat. Të lajmëruar nga kryefamiljari, forca të policisë së Lushnjës si dhe një grup hetimor kanë shkuar në vendngjarje. Pas këqyrjes së vendit policia ka pohuar se, autorët kanë hyrë në banesën e 48-vjeçarit Gjeka në një mënyrë krejt profesioniste, duke mos lënë gjurmë në banesë. “Nuk kam dyshime se, kush mund të ketë hyrë në banesë, pasi nuk kam pasur probleme apo konflikte”, mësohet të ketë deklaruar Gjeka për policinë. Gjatë ditës së djeshme në Komisariatin e policisë së Lushnjës janë shoqëruar disa persona, banorë të zonës, të cilët janë pyetur rreth ngjarjes, por pa u prangosur autorët.               m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›