Fier, dështon projekti për djegien e mbetjeve urbane
FIER/ MAJLINDA RAMA
Plot 57 kompani të huaja janë interesuar prej 5 vitesh për sistemimin e mbeturinave urbane të qarkut të Fierit. Por, edhe pse ka pasur një sërë ofertash dhe ka kaluar një periudhë e gjatë, kjo çështje shqetësuese për komunitetin nuk është zgjidhur. Për menaxhimin e tyre kanë shprehur interes rreth 57 kompani të huaja, por gjithmonë ato janë tërhequr. Burime të bashkisë e të qarkut të Fierit pohojnë se për dhjetëra herë, specialistëve u është dashur të shpjegojnë strategjinë e menaxhimit të mbetjeve urbane dhe në fund të mos përfitojnë asgjë. "Prej afro pesë vjetësh, si në qark, bashki e prefekturë, kanë mbërritur 57 firma të huaja, të cilat kanë kërkuar projekte apo edhe i kanë pasur ato me vete për përpunimin e mbetjeve urbane që tashmë grumbullohen në Mbrostar. Përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Komisioni Evropian, duke dëgjuar zyrtarët e pushtetit lokal, gjithmonë kanë pohuar se mbetjet urbane janë të shumta dhe se ato do të përpunohen, duke i groposur e më pas djegur, për të mundësuar energji elektrike", thotë kreu i Qarkut, Luan Muçaj, i cili, gjithsesi flet me optimizëm për realizimin e kësaj strategjie. Ndërkohë, edhe kreu i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj bën me dije se lista e të interesuarve për të investuar në mbetjet urbane ka qenë tepër e gjatë. "Jemi një qark i madh, prej 550 mijë banorësh dhe nevoja për të ndërhyrë është tepër e madhe. Këto ecejake me firmat e huaja na kanë lodhur, pasi vetëm brenda pesë viteve të fundit kemi hartuar dhjetëra herë projekte, të cilat janë prezantuar dhe që në fund nuk ka pasur rezultate. Në fakt, nuk dihen arsyet e largimit të firmave të huaja nga projekti i mbetjeve urbane". Pas çdo projekti, rezultati ka qenë i njëjtë: largim nga mbledhja dhe më pas asnjë përgjigje, qoftë edhe për justifikim. Ndërsa edhe krerët vendorë nuk japin dot një përgjigje për largimin e papritur të firmave të interesuara. Ata kërkojnë tashmë hapa konkretë për këtë problem, pasi gjithçka e bërë deri tani ka mbetur ajo e takimeve në tryeza. Ajo që vlen të thuhet, është se sot, më tepër se kurrë, Fieri kërkon ndërhyrje për mbeturinat, të cilat janë fare pranë zonës së banuar në Mbrostar dhe kësisoj rreziku i ndotjes është i lartë.