E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk çarmatosen

Biznesmenët duhej të dorëzonin armët e marra me leje deri në fund të muajit shtator, por askush nuk i ka njoftuar për këtë

TIRANË - Urdhri i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për çarmatosjen e të gjithë biznesmenëve që kanë marrë armë me leje, ka rënë në vesh të shurdhër dhe nuk është zbatuar nga strukturat përkatëse në komisariatet e policisë. Burime të besueshme nga policia bënë të ditur për “Korrierin”, se në fund të muajit korrik të këtij viti, drejtori i Përgjithshëm ka nxjerrë një urdhër të brendshëm, sipas të cilit strukturat e rendit pranë komisariateve duhej të bashkërendonin punën për informimin e të pajisurve me armë me leje, dhe më pas dorëzimin e tyre në vendin kur kohë më parë e kishin marrë. Me arsyetimin bazë se armët nuk konsiderohen më të nevojshme për t’u mbajtur prej tyre, kreu i Policisë së Shtetit ka urdhëruar edhe mbledhjen e tyre. Por ata që janë protagonistët kryesorë të këtij urdhri, njerëzit e biznesit, duket se nuk janë vënë ende në dijeni për dorëzimin e armës, dhe në momentin që e mësojnë, nuk është se u vjen aq mirë. Kjo, pasi e konsiderojnë pjesë të vetëmbrojtjes dhe si tepër të domosdoshme.   

Afati

Afati përfundimtar gatë të cilit duhej të mbyllej aksioni për mbledhjen e armëve që ishin dhënë me leje, kryesisht njerëzve të biznesit, ka qenë fundi i muajit shtator. Dy muajt, gusht dhe shtator, duhej të shërbenin që secili nga biznesmenët që disponon armë me leje, të vihej fillimisht në dijeni në lidhje me urdhrin, që duhet të ishte i argumentuar në bazë të ligjit për përdorimin e armëve. E pasi etapa e informimit të kalonte, të gjithë personat që kanë biznes duhej që në vendin ku ishin regjistruar me armë zjarri, aty të bënin edhe dorëzimin. Por nga një verifikim i bërë nga “Korrieri”, rezulton se pjesa më e madhe e biznesmenëve të pajisur me armë nuk është vënë fare në dijeni për urdhrin e Prençit. Në këtë mënyrë ata jo vetëm nuk janë çarmatosur, por ndihen të revoltuar kur mësojnë se ekziston një urdhër i tillë për t’u marrë atyre armët.

Biznesmeni

Edhe pse nuk do të identifikohet plotësisht, 45-vjeçari Sh. L., i cili ka një firmë inertesh, pranon të tregojë se është një nga biznesmenët e shumtë në kryeqytet që kanë në përdorim një armë zjarri. I pyetur nga “Korrieri”, ai rrëfen se prej pese vitesh ka një armë zjarri të tipit pistoletë TT, të cilën e ka marrë në përdorim kundrejt çdo rregulli në vitin 2003. “Po, jam i pajisur me armë zjarri që prej vitit 2003 dhe deri tani nuk kam asnjë lloj problemi në mbajtjen e saj. Në momentin që e kam marrë, plotësoja me korrektësi të gjitha kriteret e vëna për marrjen e armës”. Në lidhje me faktin nëse është vënë në dijeni se duhet të kishte dorëzuar pistoletën e tij që në fund të shtatorit, 45-vjeçari shprehet i habitur nga lajmi. “Nuk më ka thënë askush se duhet të dorëzoj armën që kam marrë me leje. Por, edhe nëse do ta bënin, duhet që të më bindin me argumente të forta pse unë s’duhet ta mbaj armën e zjarrit. E kam në zotërim prej pesë vitesh e nuk i kam sjellë asnjë problem policisë. Kam qenë shumë korrekt dhe do të vazhdoj të jem”. Ndërkohë, në lidhje me pyetjen pse pati vendosur që të mbajë një armë me leje, biznesmeni i inerteve përgjigjet prerë: “Për vetëmbrojtje. Ndihem më i sigurt me armën që mbaj. Kush ma siguron ruajtjen e jetës, nëse unë kam nevojë për të? Jam i bindur që asnjë përveçse ruaj veten”, - përfundon ai.

Ligji për armët  

Ashtu siç funksionon edhe për pajisjen me armë të deputetëve, ligji për armët, që mban numrin 7566, i datës 25.05.1999, ka shërbyer si bazë për përcaktimin e procedurave të pajisjes edhe për biznesmenët. Një vit më vonë, një udhëzim i ministrit së Rendit Publik me numër 1288, i datës 09.08.2000, “Për kriteret e dhënies, heqjes dhe administrimit të armëve të dhëna  me leje”, detajonte këto procedura. Sipas këtyre kritereve, njerëzit e biznesit, përveç dokumenteve kryesore që vërtetonin gjendjen e tyre të rregullt në lidhje me organet e drejtësisë dhe shëndetin mendor, duhej gjithashtu të kishin të deklaruar në bankë një shumë të caktuar të ardhurash nga biznesi i tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›