Xhelozia, qëllon të dashurën tri herë me thikë
Policia ka arrestuar autorin e ngjarjes
E reja u mbijeton plagëve në spital
Dyshonte se vajza të cilën dashuronte e tradhtonte dhe për këtë arsye e ka qëlluar tri herë me thikë. Fatmirësisht, e reja u ka mbijetuar plagëve falë ndërhyrjes në kohë të mjekëve specialistë, ndërkohë që autori është arrestuar disa orë pas ngjarjes nga policia. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm në zonën e Kombinatit në kryeqytet, kur Blerim Muharremi, 26 vjeç, ka goditur me thikë të dashurën e vet F. Gashi. Lajmi është konfirmuar nga burime të Policisë së Tiranës një ditë më parë, sipas të cilave, hetimet e deritanishme kanë nxjerrë në pah se dy të rinjtë janë konfliktuar me njëri-tjetrin pas dyshimeve që kishte shfaqur 26-vjeçari se vajza e tradhtonte. Më pas, burimet kanë pohuar se situata ka degjeneruar në fyerje derisa Muharremi ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar plot tri herë vajzën. Më pas, autori është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, ndërkohë që kalimtarë të rastit kanë ndihmuar të renë duke lajmëruar më pas edhe policinë. Me të marrë njoftimin, kjo e fundit është vënë menjëherë në kërkim të autorit të plagosjes, ndërsa F. Gashi është transportuar me urgjencë për në spital. Këtu, ndërhyrja në kohë e specializuar e mjekëve ka bërë që ajo t’i shpëtojë vdekjes dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sakaq, disa orë më vonë policia ka mundur të lokalizojë dhe arrestojë 26-vjeçarin. Nga marrja në pyetje e tij, është mësuar se prej disa kohësh të dy kishin një lidhje intime, por se kohët e fundit djali dyshonte se e dashura e tradhtonte. Sipas deklarimeve të tij, pikërisht kjo gjë e ka shtyrë të qëllojë të dashurën me thikë.
Ngjarja
Debati me të dashurën e tij për pak sa nuk ka rezultuar fatal për jetën e një të reje në kryeqytet. F. Gashi ndodhej nën shoqërinë e Blerim Muharremit gjatë kohës që po kthehej në shtëpi, por rrugës 26-vjeçari nuk ka rreshtur duke i kërkuar llogari për dyshimet e tij për një tjetër lidhje jashtë tyre. Situata mendohet të jetë përkeqësuar aq shumë, sa që kalimtarët e rastit në Kombinat i kanë pohuar policisë se kanë gjetur vajzën të përgjakur në rrugë. Menjëherë, ata janë munduar t’i japin ndihmën e parë, ndërsa kanë vënë në dijeni menjëherë policinë. Pas lajmërimit, punonjësit e komisariatit nr. 6 në kryeqytet nuk kanë vonuar të mbërrijë në vendngjarje.
Menjëherë, vajza është transportuar me urgjencë për në spital ndërsa agjentët e krimit janë vënë menjëherë në kërkim të autorit të plagosjes.
Hetimi
Identifikimi i këtij të fundit nuk ka qenë i vështirë, teksa e reja ka mundur të shqiptojë emrin e personit që kishte një lidhje dashurore. Kaq ka mjaftuar që specialistët e krimit pas një pune të shpejtë hetimore, të mundin të lokalizojnë vendndodhjen e Muharremit, si dhe të bëjnë të mundur në orët e para të mëngjesit të djeshëm kapjen e tij. Sipas të dhënave policore, 26-vjeçari është marrë në pyetje në mjediset e komisariatit nr. 6, ku dhe ka treguar motivin e krimit. Sipas të dhënave të para, mësohet se dyshimet se e dashura e tij e tradhtonte me një tjetër person, e kanë shtyrë atë ta qëllonte me thikë. Deklarimet e tij janë mbajtur në procesverbalet e policisë, ndërkohë që ndaj 26-vjeçarit Muharremi është marrë masa e arrestit me akuzën e “tentativës së vrasjes”.