E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet me sende të forta Ervis Sapaj, identifikohen autorët

Paskuqan

Një shtetas ka humbur jetën pasditen e djeshme, si pasojë e goditjeve në kokë me sende të forta. Ngjarja, sipas burimeve policore, ka ndodhur për shkak të një konflikti, ku ka humbur jetën shtetasi Ervis Sapaj. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërriti grupi i posaçëm hetimor, shërbimet e komisariatit të policisë nr. 5 Tiranë, specialistët e Seksionit Kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit, të cilët aktualisht po punojnë për të sqaruar rrethanat e motivet e kësaj ngjarjeje. Paraprakisht, shtojnë burimet, dyshohet se konflikti midis viktimës shtetasit Ervis Trifon Sapaj, 27 vjeç, me banim në Allias, dhe autorëve të dyshuar të vrasjes me sende të forta, ka nisur pranë një furre buke, në Paskuqan, për një grindje të çastit dhe motive të dobëta. Autorët e dyshuar, të cilët janë identifikuar menjëherë nga strukturat e hetimit të krimit të policisë së Tiranës, dyshohet se kanë goditur viktimën me sende të forta. Dëshmitarët okularë në vendngjarje kanë ndihmuar menjëherë të dëmtuarin Ervis Sapaj, duke i dhënë ndihmën e parë mjekësore dhe dërguar atë në Spitalin Ushtarak Tiranë. Si pasojë e goditjeve të marra, në pjesën e kokës 27-vjeçari Ervis Sapaj gjeti vdekjen në spital, edhe pas ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›