Zeqine Sollaku merr leje të gjatë, pas gjetjeve të shkeljeve nga Inspektorati
Leja e gjyqtares, pengesë për dërgimin e masave disiplinore në KLD për 12 gjyqtarët e Apelit, nuk ka kthyer përgjigjen për dosjen me shkelje
Merr leje të gjatë pas përfundimit të inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë dhe vënies në dispozicion të rezultateve përfundimtare, duke mos kthyer një përgjigje lidhur me rezultatin e inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, vënë menjëherë në dispozicion pas përfundimit për të gjithë gjyqtarët e gjetur me shkelje. Zeqine Sollaku është gjyqtarja që po bëhet pengesë për Ministrinë e Drejtësisë, për të dërguar në KLD emrat e 12 gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Tiranë për masë disiplinore. Një fakt i tillë konfirmohet nga burime zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë, të cilat bëjnë të ditur se Zeqine Sollaku është gjyqtarja që ka marrë në KLD leje të gjatë 6-mujore, duke mos përcjellë në Ministrinë e Drejtësisë observacionet e saj lidhur me shkeljet e gjetura gjatë inspektimit të Inspektoratit në gjykatën ku ajo ushtron funksionin. Këto 12 emra nuk po kalonin në KLD për masë disiplinore, për shkak të lejes së gjatë të një gjyqtari, një fakt i tillë u bë publik gjatë konferencës për shtyp të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, pas interesimit të medias për këtë fakt. Por, ministri është treguar i rezervuar për të bërë publik emër konkret gjyqtari, duke shtuar vetëm se emrat nuk kanë shkuar në KLD për masë disiplinore, vetëm se një gjyqtar ka marrë leje të gjatë. Gjatë një interesimi të bërë në Gjykatën e Apelit, rezultoi se e vetmja gjyqtare e cila ka marrë leje të gjatë prej 2 muajsh, fill pas përfundimit të inspektimit dhe dërgimit të rezultatit nga ministri për çdo gjyqtar me shkelje, është gjyqtarja Zeqine Sollaku. Ministri Alibeaj deklaroi gjithashtu se të gjithë gjyqtarët, me përjashtim të gjyqtarit me leje, i kanë kthyer përgjigje për shkeljet e gjetura në zbardhjen e vendimeve, ndërkohë që dërgimi i emrave pengohet vetëm nga përgjigjja që pritet të kthejë edhe gjyqtari me leje, që në këtë rast është Zeqine Sollaku. Ndërkohë që, i njëjti burim ka bërë të ditur se gjyqtarja Sollaku është një ndër pesë gjyqtarët që pritet të propozohen për largim nga detyra, pasi është një ndër gjyqtaret e gjetura me një numër të madh vendimesh të zbardhura 6 muaj pas shpalljes.