Xhelozia, shqiptari vret të dashurën rumune në Greqi
Një grua 34-vjeçare rumune ka mbetur e vrarë në Greqi, dje në orët e para të mëngjesit pasi u ekzekutua nga i dashuri i saj, një emigrant nga Shqipëria. Lajmi u bë ditur nga agjencia shqiptare e lajmeve NOA, e cila u referohet burimeve policore të shtetit grek. Sipas policisë helene, motivi i këtij krimi ka qenë përkeqësimi i një lidhjeje pasionante. Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin e Trikallas dhe autori i dyshuar i saj është vetëdorëzuar, pasi ka lajmëruar vetë policinë për ngjarjen e ndodhur. Viktima, gruaja 34-vjeçare, punonte kameriere në një bar në qytetin e Trikallas. Prej disa kohësh ajo kishte një lidhje intime me 38-vjeçarin shqiptar që ishte i divorcuar. Por lidhja e tyre, kohët e fundit, kishte pasur acarime të shumta. Natën, duke gdhirë dita e hënë, në orën 04.00, 38-vjeçari shqiptar, emri i të cilit nuk është dhënë nga policia, ka pritur të dashurën të mbaronte turnin dhe kanë dalë së bashku për të shkuar në shtëpinë ku bashkëjetonin, në fshatin Dhiavas të lokalitetit Kalambakas në Trikalla. Konflikti erdhi pasi 38-vjeçari e qortoi fort të dashurën, për mënyrën sesi u soll me një klient të lokalit ‘night club‘ ku ishte në punë. "Në udhëtim e sipër, në rrugën ‘Sarakinas‘, pak para se të arrinin në shtëpi, mes së resë rumune dhe 38-vjeçarit shqiptar, nis një sherr për motive xhelozie për shkak të flirtimit të së dashurës së tij me një klient grek në lokal", i thanë agjencisë burime zyrtare policore. Në kushte gjaknxehtësie, emigranti shqiptar ka nxjerrë një pistoletë që kishte në makinë, me të cilën e ka qëlluar dashnoren e tij në fyt, duke e plagosur për vdekje, brenda automjetit ku po udhëtonin për në shtëpi. Në pak minuta, 34-vjeçarja ka ndërruar jetë, kurse bashkëjetuesi i saj ka telefonuar policinë dhe ka pritur në vendngjarje për t‘u dorëzuar. Ai është arrestuar në kushtet e flagrancës dhe sot do të çohet në gjykatë për vlerësimin e masës së sigurisë, nën akuzën paraprake të vrasjes pa paramendim në kushte të tronditjes psikologjike për shkak të xhelozisë për të dashurën.