E Diel, 1 Nëntor 2026

"Me shembullin e tyre jemi më të vendosur për të goditur krimin"

Në ceremoninë e djeshme kanë përshëndetur edhe kursantët e shkollës së policisë. "Është nder i veçantë e privilegj për mua, që në emër të kursantëve të Shkollës Bazë të Policisë të shpreh mirënjohjen dhe respektin për punonjësit e policisë të rënë në krye të detyrës, këta dëshmorë që me aktin e tyre sublim na bëjnë të ndihemi krenarë për profesionin që kemi zgjedhur", deklaroi kursantja Gerta Patusha, duke shtuar se edhe pse nuk arritën t‘i njohin personalisht, të gjithë janë të vetëdijshëm që arritën të njohin trimërinë, kurajën dhe guximin që kishin këta punonjës policie, që do jenë gjithmonë burim frymëzimi për secilin nga uniformat blu. "Ende pa e nisur mirë këtë rrugë të bukur dhe të vështirë të të qenit punonjës i Policisë së Shtetit, ne e dimë dhe jemi të ndërgjegjshëm që rruga jonë është e gjatë, me vështirësi e me sakrifica, por jemi krenarë se ne i shërbejmë komunitetit. Policia gjithmonë është në mbrojtje të jetës dhe akti heroik i 241 dëshmorëve të policisë, të cilët me gjakun e tyre u bënë mburojë e vlerave më të larta njerëzore, është kontributi më i çmuar që çdonjëri prej tyre ka dhënë për shoqërinë tonë. Nën shembullin e tyre, Ne, brezi më i ri i Policisë së Shtetit e ndjejmë detyrim që gjatë punës sonë të jemi po aq të vendosur në goditjen e krimit dhe të të gjithë atyre që do të cenojnë jetën, lirinë dhe të drejtat e çdo individi të shoqërisë", u shpreh Patusha, duke përfaqësuar kursantët e policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›